Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një fjalim në foltoren e Kuvendit të Kosovës, nuk ka mundur të përmbajë inatin ndaj kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, një ditë pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, nga Policia e Kosovës nën dyshimin për keqpërdorime në disa tenderë; një prej tyre 3.4 milionë euro.
Në Prokurorinë e Shtetit, sipas Kurtit ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes dhe pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021.
Sipas tij, Blerim Isufaj është kundër vullnetit të dalë “nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikë”.
“Më 14 shkurt 2021 ka ndodhur ndryshimi i madh me sloganin ‘Drejtësi dhe punësim’. Mirëpo për drejtësinë na duhet vettingu, për drejtësi na duhet prokuroria aktive dhe e mirë, për drejtësi na duhet gjyqësori efikas dhe i ditur”, ka thënë Kurti.
Në vazhdim Kurti ka “rrëmuar” pak edhe në biografinë e Isufajt, duke ia përmendur disa raste, ku sipas tij ka pasur lëshime profesionale. “Nuk është e rastësishme pra që prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokuror”.
“Por nuk do të munden, nuk do të munden jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull”.
Fjalimi i plotë i kryeministrit Albin Kurti në Kuvendin e Kosovës:
Faleminderit i nderuar kryetar Konjufca,
Të nderuar deputetë të Kuvendit,
Zëvendëskryeministër dhe ministra të Qeverisë së Republikës së Kosovës
Është e vërtetë që dje u arrestua Kryeshefi i Korporatës Elektroenergjetike të Kosovës, KEK-ut, z. Nagip Krasniqi. Tash ai është nën ndalje 48 orë dhe është sistemi i drejtësisë ai i cili merret me çështjen e tij. Kjo çështje ka fakte dhe ato ne urojmë e shpresojmë, që të merren me profesionalizëm dhe me përpikëri.
Në anën tjetër, është fakt se pati një gëzim opozitar për arrestimin e Kryeshefit Krasniqi. Mirëpo, ky është fakt i opozitës, nuk është fakt i çështjes. Ne e dimë, që ka pasur shumë kryeshefa në KEK në të kaluarën. Ka pasur keqpërdorime marramendëse, mirëpo asnjëherë nuk janë trajtuar nga sistemi i drejtësisë, përkatësisht nga Prokuroria.
Prokuroria është shumë e zellshme në këtë rast, kur fitimi i KEK-ut në vitin 2022 ka qenë 107 milionë euro.
Natyrisht, që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale për keqpërdorimet, që i ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për t’u marrë me deponimet e fakteve e dëshmive për keqpërdorime të mëhershme, ka qenë zero. Ndërkaq, zelli për t’u marrë me Kryeshefin Krasniqi, i cili në vitin 2022 bashkë me ekipin e vet dhe me punëtorët e KEK-ut ia solli 107 milionë euro fitim, ishte maksimal.
Të nderuar deputetë,
Unë nuk kam dyshim, që në Prokurorinë e Shtetit dhe atë sa më lart aq më shumë, ekziston një disponim politik negativ ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj meje si Kryeministër, por ndaj qeverisjes sonë dhe jo vetëm ndaj qeverisjes sonë, por edhe ndaj pushtetit të ri të dalë nga 14 shkurti i vitit 2021 nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, të cilat e sollën ndryshimin e madh në Republikën tonë.
Dhe kjo lidhet më shumë se me askënd tjetër me figurën e Prokurorit Blerim Isufaj. Bëhet fjalë për një Prokuror, i cili është i mirënjohur në skenën tonë publike, që rastin e vrasjes së ish-shefit të AKP-së, Dino Asanajt e kategorizoi në vetëvrasje, ndërkaq rastin e vetëvrasjes së ish-drejtorit të Informimit në Kryeministri, Hamdi Sopa, e shndërroi në vrasje. Dhe njëkohësisht, bëhet fjalë për një Prokuror, i cili asnjë rast nuk e ka të fituar në Gjykatë.
Dhe pikërisht ky prokuror dëshiron të bëhet kryeprokuror përkundër vullnetit të presidentes së Republikës, të kryeparlamentarit të Kosovës dhe të kryeministrit të Qeverisë. Është siklet i madh dhe është mbështetje e madhe për një njeri, i cili përkundër tre krerëve shtetërorë, përkundër përvojës së hidhur që ka i gjithë vendi me të, dëshiron të bëhet kryeprokuror.
Ne i kemi ftuar zgjedhjet dhe me qeverinë tonë, me deputetët në Kuvendin e Republikës, me ministrin Murati, e bëjmë alokimin e buxhetit. Por, vendi më i lakmuar në Republikën tonë del të jetë pozita që bën alokimin e rasteve. E kjo është kryeprokurori i shtetit.
Drejtësia, sistemi gjyqësor në Kosovë, lëngon pikërisht për shkak se kemi një prokurori e cila nganjëherë s’don, nganjëherë s’din, e shpeshherë edhe të dyjat.
Është e vërtetë që unë e kam kritikuar publikisht Prokurorinë e Shtetit sidomos atë Speciale që për rastet e krimeve të luftës ka qenë përgjithësisht pasive. Në këtë Kuvend të Republikës shumë prej juve që jeni sot këtu keni qenë edhe në vitin 2019, kur më 30 maj, në lexim të dytë e votuam plotësim-ndryshimin e Kodin e Procedurës Penale, në mënyrë që kriminelet serbë që kanë kryer krime gjatë luftës t’i gjykojmë e t’i dënojmë në mungesë. Më 30 maj sivjet bëhen katër vjet. Rezultate janë më pak se të pakta. Po e kemi kritikuar për hir të shtetit, për hir të vendit tonë, për hir të viktimave, për hir të luftës tonë çlirimtare dhe për hir të së ardhmen që e duam të gjithë bashkë.
Në anën tjetër, Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë pa numër dëshmi, pa numër fakte i ka dërguar Prokurorisë gjatë muajt dhjetor dhe janar për 16 barrikadat e strukturave paralele në veri të Kosovës. Asnjë aktakuzë. Si është e mundur që Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë i dërgon aq shumë fakte Prokurorisë tonë dhe ajo nuk vepron kundër atyre, të cilët në mënyrë kriminale, me uniforma të zeza në lidhje me Wagnerin rus, të dirigjuar nga Beogradi, të paguar nga Beogradi i vendosën barrikadat, ndërkohë që prapa tyre ishin të armatosur. Asnjë aktakuzë. Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë e ka për detyrë të më informoj mua. Unë jam në dijeni të atyre dëshmive materiale, të atyre fakteve për krimet e shumta, për shkeljet e panumërta të ligjit që janë bërë në veri të Kosovës në dhjetorin e vitit 2022. Asnjë aktakuzë. Mirëpo duan të merren me kryeshefin e KEK-un. Le te merren. Dhe duan të merren me presidenten tonë. Sepse bëhet fjalë për njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021.
Unë e dëgjova deputeten Hykmete Bajrami, se tash shkoj opozita, ikën, sepse në fakt nuk e dojnë debatin. Nuk e dojnë debatin. Dojnë të shfryjnë mllef, por nuk duan debat. Për debat duhet të dëgjosh edhe palën tjetër e për shtetin nuk do të duhej as të ishin dy palë.
Kur thatë që ju jeni 51 për qind e ne jemi 49 për qind. Le t’jua përsërisim edhe njëherë, për rezultatin e 14 shkurtit 2021, që ende faktikisht nuk e pranojnë, se Lëvizja jonë Vetëvendosje i ka marrë 438 mijë vota. PDK, LDK, AAK bashkë 321 mijë vota. 438 mijë me 321 mijë. As nuk është 51 e 49. Këtyne me ua shtu edhe 1/3, 33 për qind të votave të tyre nuk na mbërrijnë këtu. Pra kur thojnë 51 e 49, kjo bëhet me qëllim që të duket si barabartë, a të tretë bashkë ata.
Më 14 shkurt 2021 ka ndodhur ndryshimi i madh me sloganin ‘Drejtësi dhe punësim’. Mirëpo për drejtësinë na duhet vettingu, për drejtësi na duhet prokuroria aktive dhe e mirë, për drejtësi na duhet gjyqësori efikas dhe i ditur.
Ky është synimi ynë sepse ky është zotimi ynë. Dhe kjo është nevoja dhe e drejta e qytetarëve të Republikës.
Nagip Krasniqi është ne burg, dënim me vdekje në Kosovë nuk ka. Dhe me siguri ai e sheh në televizor këtë gëzim opozitar për arrestimin e tij. Nuk është hera e parë. Nuk është hera e parë që kemi gëzim në sallë të Kuvendit për njerëzit të cilët janë në burg me sistem Prokurorial i cili nga viti në vit është gjykuar pikërisht në raportet ndërkombëtare.
Andaj konsiderojmë që le t’i jipet fjala drejtësisë, le të shohim procedurat normale e profesionale mirëpo emri i kundërshtimit të ndryshimit të madh në Kosovë, që është i domosdoshëm në realitetin e njerëzve jo vetëm në kuti të votimit më 14 shkurt 2021, sot është Blerim Isufaj. Ky është thelbi i çështjes, të tjerat janë pasoja dhe nuk është e rastësishme pra që prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit duan me çdo kusht në çfarëdo rrethane me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden, nuk do të munden jo pse jam unë, jo pse jeni ju, por pse në këtë shtet ka edhe Republikë edhe popull.
Faleminderit!