Kryeministri kroat pas deklaratës së presidentit Milanoviq: Kosova është shtet i pavarur, askush nuk e ka aneksuar

E publikuar: 30/01/2023 21:24
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ka deklaruar se Kroacia e ka njohur Kosovën dhe se ajo është shtet sovran.

Deklarata e Plenkoviqit erdhi si reagim ndaj deklaratës skandaloze të presidenti kroat, Zoran Milanoviq, i cili a thënë se ”perëndimi e ka aneksuar Kosovën prej Serbisë“.

Kjo deklaratë është kritikuar në opinion publik në Kroaci, ndërsa në Serbi është përshëndetur dhe i është bujë e madhe.

“Sa jam unë në dijeni askush nuk e ka aneksuar Kosovën. Asnjë shtet. Kosova është shtet i pavarur të cilin e ka njohur Kroacia. Aneksim është kur Rusia okupon territor të Ukrainës, organizon referendum të rrejshëm dhe ia bashkon ato pjesë Rusisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran, që e kemi njohur. Askush nuk e ka aneksuar“, ka thënë kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq.

Kreu i ekzekutivit ka theksuar se “për fat të mirë miqtë tanë në bashkësinë ndërkombëtare dhe shtetet mike e dinë se çfarë ndodhë në Kroaci dhe cilat janë qëndrimet e kujt”.

Presidenti kroat Milanoviq tashmë është shndërruar në “hero” nëpër mediat serbe, derisa deklarata e tij se ”Kosova është aneksuar“ po cilësohet si skandal diplomatik.