Takimet e sotme bilaterale në Kroaci, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i përfundoi me kryeministrin e Kroacisë, Zoran Milanoviq. Kryeministri Milanoviq i ka premtuar Thaçit, se do të lobojë edhe personalisht për njohje te pesë shtetet e BE që ende nuk e kanë njohur Kosovën, sepse BE është rruga e duhur për të gjithë.
“E njohim procesin integrues nëpër të cilin është duke kaluar Kosova dhe si shtete mike që jemi, mund të llogarisni për gjithçka në përkrahjen tonë. Na keni në dispozicion për çdo gjë. Unë edhe personalisht do të angazhohem me lobim te pesë shtetet e BE që ende nuk e kanë njohur Kosovën”, ka thënë Milanoviq.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se kosovarët dhe kroatët ishin miq edhe para se të kishin shtete.
“Bashkëpunimi ndërmjet kosovarëve dhe kroatëve daton para shumë dekadash. Popujt tanë ishin miq para se të kishim shtete dhe këtë miqësi, këtë bashkëpunim që kemi kultivuar me vite të tëra, jemi të përkushtuar që ta bartim edhe në ekonomi dhe tregti. Kosova mirëpret investimet kroate dhe ne jemi duke ndërmarr të gjitha masat që të forcojmë lidhjet ekonomike e tregtare në mes vendeve tona”, ka thënë zëvendëskryeministri Thaçi, duke shtuar se shumë shpejt do të konkretizohet edhe marrëveshja për shmangien e taksimit të dyfishtë me Kroacinë.
Milanoviq dhe Thaçi, janë zotuar për rritjen e bashkëpunimit në formalizimin e marrëveshjeve që do të nxisnin bashkëpunimin ekonomik.