Kryeministri i Kosovës nuk përzihet në debatet Prishtinë -Tiranë

E publikuar: 19/10/2016 15:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka preferuar të mos komentojë direkt rreth debatit të fundit Kosovë-Shqipëri që lindi nga vizita e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi. Pavarësisht se ka pasur një reagim të ashpër nga Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj për vizitën e Ramës në Beograd dhe më pas edhe një përgjigje nga ky i fundit, Mustafa ka zgjedhur të mos përzihet.

Mustafa ka thënë se vlerëson rezultatet shumë të mira sa i përket avancimit të bashkëpunimit me Shqipërinë.

“Të gjitha marrëveshjet po punohet që të zbatohen. Natyrisht se nuk arrijmë në asnjë moment që ne ta kemi një situatë ideale si çdo gjë që është shkruar të zbatohet me kohë, por ne jemi të kënaqur me bashkëpunimin, marrëveshjet dhe me implementimin e tyre dhe nuk shoh asnjë arsye që deri tash të krijojmë ndonjë ambient të diskutimeve për çështjet të cilat në mënyrë shumë normale ne mund ti diskutojmë bashkërisht”, ka shtuar Mustafa.