Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka kërkuar falje minoritetit arab në Izrael për komentet e tij gjatë zgjedhjeve të javës së kaluar.
Kritika në adresë të Netanyahut ka pasur në Izrael dhe në Shtetet e Bashkuara, pasi ai, vetëm disa orë pasi ishin mbyllur vendvotimet, bëri komente jopërkatëse për zgjedhësit arabë.
Denis McDonough, shef i kabinetit të preisdentit amerikan, Barack Obama, e ka hedhur poshtë përpjekjen e Netanyahut për ta distancuar vetveten nga komentet.
Gjatë një takimi mbrëmë vonë në Uashington, para një grupi proizraelit, ai tha se SHBA-të nuk mund të mos e shohin se çka ka thënë Netanyahu pas zgjedhjeve.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, partia Likud e të cilit i fitoi zgjedhjet, mbrëmë është takuar me pjesëtarë të komunitetit arab në Jerusalem dhe ka kërkuar falje. /rel/