Kryeministri i ri i Spanjës pohonte se pavarësia e Kosovës u shpall njëanshëm (Video)

E publikuar: 01/06/2018 20:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryeministri spanjoll, Mariano Rajoy është shkarkuar nga detyra pas mocionit të mosbesimit në parlament. Lideri socialist, Padro Sanchez, i cili e inicioi këtë mocion, pasi Partia Popullore u përfshi në edhe një skandal korrupsioni, do të bëhet kryeministër.

“Do të shkruajmë faqe të re në historinë e demokracisë së shtetit tonë”, tha Sanchez para votimit. Rajoy është kryeministri i parë në historinë moderne spanjolle, i cili u mposht me mocion mosbesimi. Sanchez siguroi 180 vota pasi mori përkrahjen edhe të partive më të vogla, përfshirë Partinë Nacionaliste Baske. 169 deputetët votuan kundër mocionit e një abstenoi. Rajoy ishte kryeministër që nga viti 2011. Gjatë debatit të dytë të premten në parlament, ai pranoi mocionin dhe tha se ishte nder për të që Spanja që po e lë është më e mirë se ajo çfarë e kishte gjetur.

Sanchez tha se Rajoy dështoi të merrte përgjegjësi për përfshirjen e partisë së tij në korrupsion, pasi javën e shkuar njëri prej ekonomistëve u dënua me 33 vjet burgim. Ndërkaq, Sanchez bëhet kryeministri i parë spanjoll, i cili vjen në pushtet pa fituar në zgjedhje.

Kosovarët megjithatë nuk duhet të ndjehen entuziastë sa i përket kryeministrit të ri spanjoll, meqë Kosova nuk pritet të jetë në agjendën e tij, sidomos pas krizës së fundit politike në Spanjë shkaku i referendumit për pavarësi në Katalonjë.

Në fund të viteve të 90-a, gjatë luftës në Kosovë, ai punoi në Bosnje si shef i kabinetit të Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, Carlos Westendorp. Ai e njeh mirë situatën në terren, megjithatë pohon se pavarësia e Kosovës u shpall njëanshëm.

Në vitin 2010, kur Partia Socialiste ishte në pushtet në Spanjë, si anëtar i saj, Pedro Sanchez në një rast raportoi para Komisionit të Jashtëm, para vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, lidhur me pavarësinë e Kosovës kur u vërtetua legaliteti i saj.

Sanchez thoshte se pavarësia e Kosovës është e njëanshme dhe qëndrimi i Spanjës lidhur me këtë nuk ka ndryshuar, duke mbrojtur kështu qëndrimin e qeverisë së atëhershme.

Në rast se përmbush këtë mandat të qeverisë që vlen deri në vitin 2020 dhe në Spanjë të mos ketë zgjedhje të reja parlamentare, Sanchez do të përballët me krizën e madhe se çfarë të bëjë në rastin e Katalonjës.

Varësisht nga qasja që mund t’i japë problemit të Katalonjës, do të dihet për qëndrimin që mund ta kenë ai dhe partia e tij në lidhje me Kosovën.

Qeveritë e deritanishme spanjolle kategorikisht kanë refuzuar ta njohin pavarësisë e Kosovës, shkaku i Katalonjës, ndonëse dy rastet nuk janë të krahasueshme.