Parlamentarët e Bashkimit Evropian kritikuan ashpër kryeministrin hungarez, Viktor Orban për lëvizjet e tij të fundit lidhur me migrimin dhe dënimin me vdekje duke i hapur rrugën kështu një përplasjeje të re mes Brukselit dhe Budapestit.
Orban reagoi një ditë më parë ndaj vrasjes së një 21-vjeçareje, e cila shiste cigare, duke thënë se dënimi me vdekje duhet të jetë në axhendë përderisa ligjet e ashpra penale nuk duket se janë të mjaftueshme.
”Kriminelët duhet ta dinë se Hungaria nuk do të tërhiqet para asgjëje kur bëhet fjalë për të mbrojtur qytetarët e saj”, deklaroi Orban, i cituar nga agjencia zyrtare hungareze e lajmeve, MTI.
Deklaratat e tij habitën mjaft zyrtarët e Bashkimit Evropian, që ndalon dënimin me
vdekje dhe propagandon në të gjithë botën heqjen e tij.
Hungaria është anëtare e BE-së që nga vitit 2004.
Orban ka irrituar europarlamentarët edhe me kërkesën për një konsultim publik me
qytetarët për çështjen e migrimit, që është kritikuar si ksenofobik. Hungaria po përballet me një fluks refugjatësh ekonomikë që vijnë nga kufiri serb për të kërkuar punë.
Ky konsultim u kërkon qytetarëve hungarezë t’u përgjigjen 12 pyetjeve që duket se lidhin terrorizmin me migrimin dhe kërkon nëse migrantët ilegalë duhet të arrestohen menjëherë dhe të dëbohen.
“Deklaratat e Orbanit janë kundër vlerave fondamentale që Evropa paraqet”, deklaroi Guy Verhofstadt, lideri i liberalëve në PE.
“Qeveria e Orbanit nuk do të pranohej në BE nëse do të kishte aplikuar tani”, theksoi ai, raporton, gazeta blic.
“Dënimi me vdekje është i ndaluar në BE për arsye të qenësishme. Ai është jonjerëzor dhe barbar”, tha liderja e të Gjelbërve, Rebecca Harms, .
Kritikat vijnë edhe nga Partia Popullore Evropiane, së cilës Orbani dhe partia e tij i përkasin.
“Dënimi me vdekje është fatmirësisht pjesë e së kaluarës në BE. Kjo nuk është e negociueshme”, deklaroi lideri i EPP-së në PE, Manfred Weber