Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar Ndërmarrjen “Trepça”, ku nga menaxheri i kësaj ndërmarrjeje, Ahmet Tmava është njoftuar nga afër me situatën dhe problemet me të cilat përballet kjo ndërmarrje.
Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se Ligji e obligon Qeverinë e vendit që të ndërmarrë veprime të duhura të parapara me ligj. “E mira e Ligjit për “Trepçën”, është se ju jep rol të gjithëve, ju jep rol minatorëve sepse janë aksionarë, iu jep rolin e vet përmes Bordit Menaxhues, menaxhmentit, por i jep rol dhe peshë edhe vendimmarrësve tjerë të nivelit nacional përmes Bordit Mbikëqyrës”, tha kryeministri.
Kryeministri Haradinaj tha se e mira e këtij ligji, është që të hyrat, 20 për qind e inkasimit të dividentave i kthehen komunitetit, andaj nëse të gjithë marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë, sipas kryeministrit, “Trepça” do të jetë storie e suksesit, jo vetëm ekonomike, por edhe në dimensione tjera.
“Ne jemi të interesuar që kjo ndërmarrje në jetën tonë ekonomike, shoqërore dhe më gjerë, të shfrytëzohet si mundësi për një integrim më të mirë të kësaj treve të Kosovës, përfshirë edhe veriun, të gjenden formulat e duhura që të përfshihen të gjithë dhe ta gjejnë interesin e vet, jo vetëm në aktivizimin e njësive që u cekën, por edhe në aktivitetet e gjithmbarshme që pasojnë. Ne e kemi përfshirë edhe në planin qeverisës pasurimin e koncentratit, kalimi në një stazh tjetër më të avancuar”, tha kryeministri.
Kjo vizitë, siç u shpreh kryeministri, duhet të kuptohet si gatishmëri për zbatim të Ligjit për Trepçën. “Është e patolerueshme të vonohet krijimi i Bordit Mbikëqyrës, por poashtu është e patolerueshme që të lejohet statusi i “Trepçës” si kompani e paregjistruar, që i ka vështirësitë në operim”, u shpreh kryeministri.
Me këtë rast, kryeministri premtoi për minatorët se temat që kanë të bëjnë me kategorizimin e pagave, me stazhin e minatorëve, si dhe punësimin e familjarëve të minatorëve do të trajtohen me seriozitetin e duhur.
Menaxheri i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, fillimisht ka uruar kryeministrin Ramush Haradinaj, për zgjedhjen në krye të Qeverisë me bindjen se pritjet e kësaj ndërmarrje do të bëhen realitet nga kjo qeverisje. Tmava e ka njoftuar kryeministrin me sfidat nëpër të cilat ka kaluar ndërmarrja “Trepça”, duke u kërcënuar edhe me proceduat e likuidimit. “Falë Ligjit të aprovuar për Trepçën në nëntor të vitit të kaluar, “Trepça” ka shpëtuar nga procedura e likuidimit, mirëpo nuk është zgjedhur problemi, për shkak se ai ligj ende nuk ka filluar të zbatohet. Kjo na vë në një situatë të një vakumi ligjore veprues”, tha Tmava. Ai e ka konsideruar si çështje me prioritet zgjedhjen e Bordit Mbikëqyrës, i cili pastaj e aprovon Strategjinë Zhvillimore dhe e bën statusin e regjistrimit të ndërmarrjes.
Pas takimit me menaxhmentin, kryeministri ka vizituar minierën e Stantërgut, ku është pritur nga minatorët.
Qazim Jashari, drejtor i Minierës në Stanterg, i ka thënë kryeministrit Haradinaj se për t’i arritur objektivat duhet investim dhe përkrahje nga Qeveria. “Besojmë se do të filloj implementimi i ligjit, do të zgjidhet bordi dhe do të filloj zhvillimi i mbarë me projektet që janë bërë nga ekspertët vendor”, tha ai.
Shyqeri Sadiku, kryetar i Sindikatës së minatorëve, paraqiti para kryeministrit kërkesat dhe shqetësimet lidhur me gjendjen e krijuar nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i menaxhmentit aktual. Ai kërkoi që të bëhet ligji për pensione dhe invalidët e punës, i cili do të mundësonte që pensionet për të pensionuarit në Trepçë të jenë 70 për qind e mesatares së tri rrogave të fundit para pensionit; që punëtorëve të Trepçës t’ju njihet përvoja e punës nga vitet 90 e tutje; të arrihet një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sindikatës dhe Menaxhmentit të Trepçës me qëllim që t’ju mundësohet punësimi i një fëmije, të gjithë atyre punëtorëve që kanë vdekur, vdesin, pensionohen dhe atyre që nuk kanë pasur mundësi të kthehen në punë; dhe të garantohet se nuk do të ketë privatizim të Trepçës.
Kryeministri Haradinaj në fund të vizitës bashkëbisedoi me minatorët, duke u premtuar atyre zgjidhje dhe adresim konkret për pensionet të cilat do t’i trashëgojnë familjarët e tyre, mundësinë e punësimit të familjarëve të minatorëve, si dhe bursa për fëmijët e minatorëve pas rritjes së profitit në këtë ndërmarrje.
“Sapo të kthehem në zyrë do t’i përpara detyrat e mia dhe me kabinetin tim do t’i kryej këto detyra” tha kryeministri, duke premtuar se deri më 20 tetor, sërish do të vije në “Trepça” për të raportuar për realizimin e punëve që janë bërë.
Për realizimin e këtyre premtimeve, ai mori shembull arritjen e marrëveshjes me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade me rastin e shpronësimit.