Gjendja e rezervave të ujit në akumulimet kryesore vazhdon të jetë nën monitorim, ndërsa KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se sasia aktuale e ujit garanton furnizim deri në fund të vitit 2026, me kusht që uji të përdoret në mënyrë racionale.
Sipas të dhënave të fundit, niveli i ujit në liqenin e Badocit është rreth 2 metra nën nivelin maksimal të mbushjes, ndërsa në Liqenin e Batllavës niveli është 1.69 metra nën kuotën maksimale.
Nga KRU “Prishtina” kanë theksuar se menaxhimi i rezervave dhe mënyra e përdorimit të ujit gjatë muajve në vijim janë faktorë të rëndësishëm për qëndrueshmërinë e furnizimit.
“Uji është një burim i kufizuar dhe përdorimi i panevojshëm i tij, veçanërisht gjatë periudhave me temperatura të larta dhe konsum të shtuar, ndikon drejtpërdrejt në ruajtjen e rezervave dhe në qëndrueshmërinë e sistemit të furnizimit”, thuhet në njoftim të kompanisë.



























