KRU “Prishtina” i kundërpërgjigjet drejtorit të Përparim Ramës, thotë se fajin e patën ndërtuesit e jo ujësjellësi

E publikuar: 29/03/2026 21:15
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar pas deklaratës së drejtorit të Sigurisë dhe Emergjencave në Prishtinë, Lulzim Fushtica, i cili tha se dyshohet se pati rrjedhje uji para se të shembej rruga “Don Shtjefën Kurti”.

Nga KRU “Prishtina” kanë fajësuar ndërtuesit, duke thënë se kjo ka ndodhur si shkak i aktivitetit të gërmimeve dhe ndërhyrjeve në terren, shkruan Insajderi.

“Bazuar në vëzhgimet fillestare në terren dhe pamjet e publikuara, vlerësohet se kjo gjendje nuk lidhet me rrjetin e ujësjellësit, por më tepër me aktivitetet e gërmimeve dhe ndërhyrjeve në terren, të cilat kanë ndikuar në destabilizimin e shtresave të dheut dhe krijimin e kushteve për rrëshqitje. Si pasojë e kësaj rrëshqitjeje, është dëmtuar edhe infrastruktura e ujësjellësit në atë zonë”, deklarojnë nga kjo kompani.

“Deri në përfundimin e këtyre analizave dhe raportit përfundimtar profesional, rekomandojmë që të mos jepen përfundime të parakohshme dhe të mos i atribuohet përgjegjësia rrjetit të ujësjellësit pa u bazuar në fakte dhe vlerësime të mirëfillta teknike”, thuhet më tej në reagim.

Drejtori i Përparim Ramës, Lulzim Fushtica, tha se sipas të gjitha gjasave, ka pasur rrjedhje të ujit.

“Sipas të gjithave gjasave sa shihet ka pasur rrjedhje të ujit, por ai nuk është parë se ka qenë nën rrugë, ekipet e ujësjellësit dhe të gjitha ekipet e tjera të emergjencës janë në vendin e ngjarjes. Është ndalë rryma, do të ndalet edhe uji dhe po sanohet hapësira që të mos ketë rrezik për ditët në vijim”, tha ai sot në vendngjarje.