Kroacia kritikon NATO-n për mosreagim pas rrëzimit të dronit nga epoka sovjetike

E publikuar: 12/03/2022 22:47
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Zyrtarët kroatë kritikuan sot NATO-n për reagim të ngadaltë ndaj një droni ushtarak, që u përplas në një fushë pranë një konvikti studentor në kryeqytetin kroat.

NATO, e cila ekziston pjesërisht për të ndihmuar në mbrojtjen dhe alarmimin e shteteve të saj anëtare nga ngjarje të papritura si kjo, tha se mbrojtja e integruar ajrore dhe raketore e aleancës kishte gjurmuar rrugën e fluturimit të dronit.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq, tha se NATO reagoi vetëm pasi u shtruan pyetje nga gazetarët.

“Ne nuk mund ta tolerojmë këtë situatë dhe as nuk duhet të kishte ndodhur ndonjëherë”, tha Plenkoviq teksa vizitoi vendin e rrëzimit.

“Ky ishte një kërcënim i pastër dhe i qartë, dhe NATO e BE duhet të kishin reaguar”, shtoi kroati.

“Ne do të punojmë për të rritur gatishmërinë jo vetëm të shtetit tonë, por edhe të të tjerëve”.

Droni zbulues i epokës sovjetike Tu-141 “Strizh” dyshohet se fluturoi nga zona e luftës e Ukrainës përmes hapësirës ajrore të tre vendeve anëtare të NATO-s – Rumanisë, Hungarisë dhe Kroacisë – para se të zbriste në kryeqytetin e Zagrebit, duke dëmtuar rreth 40 makina të parkuaram raporton AP.

Si Rusia ashtu edhe Ukraina e kanë mohuar lëshimin e dronit, por ekspertët ushtarakë thonë se Ukraina është operatori i vetëm aktual i njohur i Tu-141.