Pas eliminimit të Arsenal dhe Chelsea, viktima tjetër e luksit në 1/8-at e Capital One Cup ishte edhe Manchester United. Djajtë e Kuq zhgënjyen në Old Trafford. Pas kohës së rregullt dhe shtesës që përfunduan 0-0, ata u eliminuan me 11-metërsha nga Middlesbrough, skuadër e Championship-it, kategoria e dytë angleze.
Një disfatë e papritur, që rrit dyshimet për forcën e skuadrës së Louis Van Gaal. Sa herë që Manchester United duket se është kthyer në rrugën e duhur, skuadra zhgënjen në lojë dhe rezultate dhe më pas vuan të ringrihet. Edhe pse aktivizoi mjaft titullarë në Kupën e Ligës, ishte mbi të gjitha sulmi ai që nuk funksionoi. Një fakt që pranohet edhe nga Van Gaal, i cili tashmë shprehet i shqetësuar për mungesën e golit.
“Natyrisht që shpërdorimi i rasteve për shënim është diçka shqetësuese. Në futboll, goli është gjëja më e rëndësishme. Kishim raste të mira për të shënuar, por në momentin kur nuk realizon gjithçka komplikohet dhe bëhet më e vështirë ti fitosh ndeshjet. Mund të thuhet që ishim edhe të pafat, por goli duhet kërkuar. Në përfundim nuk fituam, pasi nuk shënuam.”
Manchester United regjistroi barazimin e dytë pa gola në Old Trafford në harkun e katër ditëve. Statistikat alarmante tregojnë se Djajtë e Kuq nuk shënojnë në shtëpi prej 238 minutash. Për tu theksuar edhe fakti që lojtarët si Ëayne Rooney, Michael Carrick dhe Ashley Young gabuan edhe nga pika e penalltisë në Kupën e Ligës ndaj Middlesbrough.