Kriza në marrëdhënie pas lindjes së fëmijës së parë

E publikuar: 04/12/2016 12:28
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ka aq shumë arsye për t’u ndier të gëzuar kur çiftet fillojnë udhëtimin e tyre për t’u bërë prindër: zgjedhjen e një emri, rregullimin e dhomës së foshnjës, blerjen e rrobave, etj.

Mirëpo, mes gjithë këtyre detyrimeve e kënaqësive, çiftet shpesh harrojnë të mendojnë për lidhjen e tyre pas lindjes së foshnjës.
Kjo ndodh sepse ndonjëherë është e vështirë të imagjinohet se diçka aq e çmuar, si një i porsalindur, mund të shkaktojë aq shumë ankth në marrëdhënie.

Studimi i kryer nga Drs. John dhe Julie Gottman, tregon se pothuajse dy e treta e çifteve raportojnë një rritje të pakënaqësisë në marrëdhëniet e tyre deri në tre vjet pas lindjes së foshnjës. Çfarë kanë bërë ndryshe 1/3 e çifteve që kanë raportuar rezultatet pozitive? Sipas studimit, ata ishin në gjendje për të ndarë këtë periudhë tranzicioni së bashku, kishin një ndjenjë të fortë të miqësisë, praktikuan menaxhimin e drejtë të konflikteve, dhe trajtuan në ekip apo së bashku, nevojat e ndryshme të foshnjës.

Identiteti i një familje ndryshon në mënyrë drastike kur një fëmijë vjen në jetë. Ky ndryshim drastik bën që prindërit e rinj të ndjehen të mbingarkuar – gjë e cila mund të çojë në rritjen e stresit. Prindërit e rinj, në këtë fazë, përballen me një rënie të ndjeshme të kontaktit seksual. Ata përpiqen më shumë për të ndarë përgjegjësitë familjare dhe nevojat e foshnjës se sa të merren me njëri-tjetrin. Duke analizuar se cili partner ka fjetur më shumë natën e kaluar, ose radha e kujt është të bëjë darkën, shpesh i bën ata të kenë konflikte. Bisedat në lidhje me paratë, mbijetesën e kujdesin për fëmijën, shkakton në çift tensione e stres.