Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë se kosto e importit të energjisë elektrike këtë dimër pritet të jetë rreth 350 milion euro.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ajo ka thënë se në periudhën tetor 2022 deri në mars 2023 parashihet të importohen rreth 722 megavat në orë energji elektrike.
“Sa i përket parashikimit të sasisë së importit vlerësohet që në periudhën tetor 2022 deri në mars 2023 në skenarin e furnizimit me 2A dhe 2B dhe kohë pas kohe edhe 3A do të jetë rreth 722 megavat në orë, ndërsa sa i përket vlerës nëse supozojmë që çmimi i importit do të jetë 500 megavat në orë atëherë kosto e importit për periudhën tetor 2022 deri në mars 2023 do të ishte rreth 350 milion euro.
Ministrja e Ekonomisë ka thënë se prodhimi i energjisë elektrike nga KEK-u dhe burimet e ripërtërishme pritet të jetë 3.2 milion megavat.
“Prodhimi i energjisë elektrike nga KEK-u dhe burimet e ripërtërishme të energjisë për periudhën tetor 2022 deri në mars 2023 pritet të jetë rreth 3.2 milion megavat orë, gjatë muajit tetor në operim do të jenë dy blloqe të termocentralit Kosova B dhe një i termocentralit Kosova A ndërsa nga nëntori pritet të jenë në operim dy blloqe të A-së dhe dy blloqe të B-së. Me futjen në operim të njësisë A5 do të ketë më shumë energji në dispozicion mirëpo për shkak të vjetërisë së këtyre njësive të dy termocentraleve sigurisht që siguria dhe besueshmëria e këtyre njësive nuk është në nivelin që do të donim”, ka thënë Rizvanolli.