Kriza aktuale ekonomike, do të thellohet edhe më(?)

E publikuar: 21/06/2015 14:09
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kriza ekonomike në Kosovë po thellohet edhe më shumë, kjo për shkak të mungesës së një politike të zbatuar ekonomike, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike.

Deri te ky vlerësim, thonë ata, kanë ardhur duke parë se Qeveria e Kosovës nuk ka strategji, nuk ka vizon për zhvillim.

Për më shumë, ata thonë se nuk shohin një perspektivë ekonomike të vendit.

Profesori i ekonomisë Musa Limani në një prononcim për Radion Evropa e Lirë deklaron se ekonomia e Kosovës ballafaqohet me probleme të shumta, me trend jo të mirë ekonomik dhe se situata është e rëndë.

“Është një krizë e thellë ekonomike për arsye se ne, kryesisht i kemi zhvilluar degët shërbyese, të cilat e kanë shndërruar Kosovën në treg konsumues”.

“Tetëdhjetëpër qind e të mirave materiale që janë të nevojshme për tregun e brendshëm, përkatësisht për popullatën tonë, ne i importojmë nga jashtë. Me një politikë konsekuente ekonomike, pa laps, do të thosha që 50 për qind të këtyre produkteve ne do të mund t’i prodhonim në vendin tonë”, vlerëson profesor Limani.

Rritja ekonomike për jo më shumë se 3 për qind, papunësia rreth 40 për qind, varfëria ekstreme 10 për qind, si dhe deficiti i lartë tregtar, janë shifra që sipas ekspertëve, tregojnë se ekonomia e Kosovës është në krizë të thellë tash e sa vjet.

Por, sipas tyre, duke i parë proceset ekonomike jo të mira që po ndodhin aktualisht, Kosova do të ballafaqohet me një përkeqësim edhe më të madh ekonomik dhe është para një krize të thellë ekonomike.

Për ta ndryshuar këtë situatë, e cila është shumë e rëndë, profesori i ekonomisë Musa Limani, kërkon masa urgjente nga Qeveria e Kosovës.

“Nëse nuk ndryshohet kjo politikë ekzistuese në kuptimin që të bëhen reforma rrënjësore të politikës ekonomike, reforma rrënjësore në politikat fiskale dhe kreditore dhe të tregtisë së jashtme, të cilat duhet të shndërrohen dhe të hyjnë në funksion të mbrojtjes dhe të nxitjes së zhvillimit të biznesit vendor, Kosova po shkon drejt shkatërrimit, në fakt ekonomia e Kosovës është drejt shkatërrimit. Pra, anija po fundoset”, vlerëson profesor Limani.

Sidoqoftë, parakushtet për një zhvillim më dinamik ekonomik, sipas ish ministrit të Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri, Kosova i posedon, mirëpo menaxhimi me këto resurse po mungon.

“Në këtë nivel të zhvillimit, Kosova nuk do të arrijë kurrë t’i zgjidhë as problemet elementare jetësore, e lërë më t’i zgjidhë problemet tjera zhvillimore. Jemi në prag të një situate kur priten revolta ose shqetësime sociale, ku vendi mund të shkojë në pozita tjera më të vështira”, thekson Shatri.

Gjendja e bizneseve private në Kosovë, shton Shatri është mjaft e vështirë, këto biznese, sipas tij, po ballafaqohen me probleme të mëdha dhe shumë prej tyre janë në prag të falimentimit.

Sipas Shatrit, gjendja ekonomike e Kosovës është shumë më e rëndë sesa ajo që paraqitet në raportet e mekanizmave vendorë dhe ndërkombëtarë.

“Në raporte financiare apo në raportet e zhvillimit ekonomik, që bëhen nga Banka Qendrore e Kosovës dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, nuk shihet, por që esencialisht është një krizë më e thellë sesa që pasqyrohet në raporte. Edhe ashtu Kosova me këtë normë të zhvillimit është përgjysmë nën normën e zhvillimit që kanë vendet në zhvillim, kategori e vendeve që i takon edhe Kosova”, sqaron Shatri, transmeton rel.

Ndryshe, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës vazhdimisht janë duke u deklaruar se janë të përqendruar në aktivitete ekonomike, të cilat synojnë zhvillim ekonomik të vendit, në veçanti rritjen e punësimit dhe krijimin e parakushteve për përkrahje të sektorit privat.