Pas nënshkrimit të projekteve të infrastrukturës energjetike mes Malit të Zi dhe një kompanie amerikane, kryeministrit Albin Kurti i erdhën disa kritika nga partia opozitare, LDK.
Visar Azemi nga kjo parti thotë se këto projekte kanë mundur të nënshkruhen me Kosovën, por se nuk ndodhën për shkak të “paaftësisë së kësaj qeverie”.
“Qeveria e Malit të Zi dhe përfaqësues të kompanive amerikane dje nënshkruan në Podgoricë Memorandum për zbatimin e dy projekteve të infrastrukturës energjetike. Njëri prej tyre është ndërtimi i një terminali për importin e gazit të lëngshëm natyror në shtetin malazez dhe ndërtimi i një termocentrali me gaz. Këto projekte kanë mundur të jetësohen në Kosovë, por për shkak të kësaj qeverie pa vizion dhe dije, sot janë një investim strategjik i humbur pikërisht i këtij pushteti”, ka shkruar ai.
Ai ka ndarë edhe një citat të ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, kur kishte dhënë arsyet se pse nuk kanë nënshkruar.
““Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik”, thoshte asokohe ministrja jokompetente Artane Rizvanolli. Ani pse ky projekt përveç rëndësisë në rrafshin energjetik për Kosovën, kishte edhe dobi gjeostrategjike. Kjo ngase krahas ndikimit industrial, do të mundësonte edhe uljen e varësisë nga gazi rus”.
Azemi thotë se Kosova humbi jo vetëm në financa, por edhe në raportet me SHBA-në.
“Kjo s’është veç humbje financiare për Kosovën. Kjo është edhe deformim i një raporti të mirëfilltë që Kosova e ka ndërtuar me ShBA-në ndër vite. Prandaj, kjo qeveri e papërgjegjshme duhet të shkojë sa më parë. Kosovës i duhet një pushtet serioz dhe i përgjegjshëm”.