Kriteret e rrepta të pasarelave

E publikuar: 27/08/2015 19:58
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Një fytyrë tepër e bukur, një trup i gjatë e i hollë, vetëm 19 vjeç, por industria e modës sërish nuk e konsideron suedezen, Agnes Hedengard, të denjë për t’u bërë pjesë e saj.

Thonë se jam tepër e shëndoshë për të sfiluar, rrëfen vajza në një video që e ka hedhur në Youtube, e që dëshmon ashpërsinë e kritereve të agjencive të modës.

Edhe pse në krahasim me përmasat trupore, vajza e zhytur në botën e modelingut profesional që prej moshës 15-vjeçare duhet të konsiderohej madje nën peshë, kjo nuk mjafton për ta ngjitur atë në pasarelë.

Të gjithë i thonë se ijet dhe fundshpinën i ka të shëndosha. Por, dyerve që i janë mbyllur në fytyrë, ajo u përgjigjet me një videomesazh, ku thotë: “Duajeni veten ashtu siç jeni. Mos lejoni të tjerët t’iu ndryshojnë”.

Vitin e kaluar, Agnes zuri vendin e tretë në konkursin “Next Top Model”. Por për shkak të standardeve të saj tepër të ngurta, industria e modës nuk interesohet për të dhe 19-vjeçarja, aktualisht është e detyruar të punojë si shitëse për të siguruar jetesën.

/ Top Channel