Isa Mustafa thotë se Masakra e Mejës është dëshmia më e mira se Serbia kishte qëllim shfarosjen e shqiptarëve. Premton se kryerësit e këtyre akteve do të dalin para drejtësisë.
Kryeministri Isa Mustafa ka premtuar se kryerësit e masakrave gjatë luftës së fundit në Kosovë, do të dalin para drejtësisë, derisa ka qëndruar në Mejë të Korenicës, ku 16 vjet më parë u vranë dhe u zhdukën 377 shqiptarë.
Në fjalimin e tij para të pranishmëve të shumtë, familjarë e zyrtarë të institucioneve të Kosovës, Mustafa tha se “Lëndina e Pikëllimit” është dhe do të mbetet përgjithmonë sinonim i dhembjes, i krenarisë, por edhe i kujtesës tonë kombëtare.
“Masakra e Mejës është një nga dëshmitë më të forta që Serbia kishte qëllim spastrimin dhe shfarosjen e popullatës shqiptare. Përpara një monumenti të tillë të dhembjes dhe kujtesës kombëtare, ne përulemi me respekt dhe ndjehemi të detyruar të bëjmë çfarë është e mundur për të zbardhur fatin e të pagjeturve”, tha kryeministri Mustafa, raporton Koha.net.
Ai tha se mbamendja dhe respekti e përkujtimi, nuk janë të vetmet detyrime tona.
“Ju garantoj se në përputhje me obligimet ligjore e kushtetuese, në harmoni me konventat ndërkombëtare, Qeveria e Republikës së Kosovës do të insistojë për t’ua krijuar kushtet e përshtatshme mekanizmave të sundimit të ligjit dhe të rendit, për të zbardhur në tërësi këtë ngjarje makabre dhe për të vendosur përpara drejtësisë ideatorët dhe ekzekutuesit e masakrës së Mejës dhe të gjitha masakrave tjera anembanë Kosovës”, premtoi kreu i ekzekutivit.
Tutje ai foli edhe për Gjykatën Speciale, duke thënë se “Kosova ka demonstruar dhe po demonstron gatishmërinë e bashkëpunimit me drejtësinë për të zbardhur të gjitha dyshimet dhe akuzat që rëndojnë mbi njerëzit e saj”.
“Unë besoj se Kosova ka siguruar tashmë të drejtën që ta ketë mbështetjen e krejt botës për ta detyruar Serbinë të dorëzojë të gjitha viktimat shqiptare që i mban të fshehura. Krahas kësaj, jam i bindur se bota do të përkrahë edhe kërkesën tonë që Serbia të shtrëngohet për t’i dorëzuar fajtorët për krimet që janë kryer ndaj popullsisë civile në Kosovë, në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë për veprat e tyre kriminale”, theksoi Mustafa.
Kryeministri tha më tej se çështja e të pagjeturve dhe çështja e vendosjes para drejtësisë të ideatorëve dhe kryesve të krimeve, ende nuk ka gjetur vendin dhe trajtimin që meriton, por premtoi se do të punohet me ngulm për të pagjeturit tanë, që të kërkohet zgjidhja në të gjitha instancat ndërkombëtare.
“Unë mendoj poashtu se përkushtimin më të madh në zbatimin e ligjeve dhe Kushtetutës sonë, duhet ta kemi të gjithë ne, se këto çështje duhet të trajtohen seriozisht dhe duhet të gjejmë zgjidhjen e duhur dhe zgjidhjen që ju e pritni. Unë e di që keni pritur gjatë dhe çdo ditë e juaja është ditë e ankthit”.