Një kompani koreano-jugore, e quajtur Dots, ka krijuar një orë inteligjente posaçërisht për të verbrit. Ora e pajisur me alfabetin Braj do të ndihmojë personat që kanë probleme me shikimin që të marrin dhe të lexojnë njoftimet e ardhura në telefonin inteligjent direkt nga kyçi i tyre i dorës. Ora Dot mund të shfaqë katër karaktere të alfabetit Braj (alfabet në reliev që përdoret nga të verbrit) njëherësh.
Ajo është e pajisur me një motor vibrimi që do të lajmërojë përdoruesit kur vjen një mesazh në telefonin inteligjent. Pajisja përdor Bluetooth-in për të konvertuar mesazhin tekst nga aplikacione të tilla si iMessage në shkronja Braj. Ajo mund të funksionojë për pesë ditë me një karikim të vetëm. Ora do të shitet për më pak se 300 dollarë.