Krijimi i ushtrisë në duart e Listës Serbe (Video)

E publikuar: 10/08/2015 20:56
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Edhe vjeshta do ta gjejë Kosovën pa ushtri, megjithëse më shumë se dy muaj kanë kaluar prej kur Qeveria ka proceduar në Kuvend ndryshime kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të FAK-ut. Lista Serbe vazhdon të deklarohet se nuk do ta votojë Ushtrinë e Kosovës me propozimet aktuale të Qeverisë, ndërsa partitë opozitare i kërkojnë pushtetit që të mos e lejojnë Beogradin të bëhet vendimmarrës në këtë proces.

Ushtria e Kosovës në duart e Listës Serbe.

Partneri serb i koalicionit LDK- PDK, Lista Serbe nuk po pajtohet me amendamentet e propozuara nga Qeveria mbi Forcat e Armatosura, prandaj si të tillë vazhdojnë të deklarojnë se nuk do ta votojnë.

I kontaktuar nga KTV-ja, zëvendëskryeministri serb, Branimir Stojanoviq, ka thënë se janë të gatshëm për t’i vazhduar bisedimet me partnerët e koalicionit LDK, PDK, por jo ta japin votën për amendamentet e votuara në Qeveri.

“Në këtë formë, siç janë bërë të ditura propozimet për FAK-un, ne nuk do ta votojmë atë. Por, gjithmonë kemi qenë të gatshëm të bisedojmë për këtë temë dhe do të flasim sërish. Deri në atë moment kur do të këtë ndryshime të tjera prej propozimit aktual, ne nuk mund të themi diçka më shumë rreth kësaj çështjeje”, i ka thënë Stojanoviq KTV-së.

Partitë opozitare thonë se Beogradi është përcaktues nëse Kosova do të ketë ose jo ushtri, sepse një kornizë të tillë politike e ka konstruktuar vetë Qeveria e Kosovës.

Glauk Konjufca thotë se fati i FAK-ut, po varet nga Lista Serbe, por fajin kryesor e ka Hashim Thaçi.

Ndërsa për nënkryetarin e AAK-së, Ahmet Isufi, është e papranueshme që sesioni pranveror i Kuvendit përfundoi, e ushtria e ardhshme e Kosovës nuk u vu në rend dite.

Ai madje nuk ka më shpresë se ky vit do të jetë vit i ushtrisë.

Më 27 maj, Qeveria e Kosovës i pati proceduar në Kuvend ndryshimet kushtetuese që i hapin rrugë krijimit të Forcave të Armatosura. Të njëjtat kanë kaluar edhe në Komisionin për Legjislacion, por se kur deputetët do t’i kenë përpara këto ndryshime do të shihet tek në vjeshtë, atëherë kur Kuvendi do t’i rikthehet punës në javën e tretë të shtatorit.