Krerët e bashkësive fetare në Kosovë janë bërë bashkë për të përçuar një mesazh te të gjitha partitë politike në vend dhe për t’u kërkuar atyre gjetjen e një zgjidhjeje për krizën, raporton KTV.
Nikoqire e drekës ka qenë Ipeshkvia e Kosovës, në të cilën kanë marrë pjesë edhe kreu i Bashkësisë Islame, Naim Tërnava dhe ai i Kishës Protestante, Driton Krasniqi.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë, Don Dodë Gjergji, u shpreh i lumtur që nuk pati dhunë në protestën e 17 shkurtit.
Edhe udhëheqësi i myslimanëve në Kosovë, Naim Tërnava, i ka ftuar krerët politikë në vend që të gjejnë rrugë e vullnet të përbashkët për të dalë nga kriza.
Po ashtu, Tërnava bëri të ditur edhe një herë se luftimi i ekstremizmit fetar është përkushtimi i tij dhe i besimeve të tjera në Kosovë.
Dreka e së enjtes mes klerikëve fetarë është organizimi i parë, i cili është bërë publik për medie.