Si rrallëherë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur sot për gjykimin e katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, teksa zhvillimet nga Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë qenë të vrullshme ditën e fundit me një aktakuzë të re të ngritur ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi për pengim të drejtësisë.
Gjatë një diskutimi të zhvilluar në Prishtinë me studentët e Universitetit Amerikan në Kosovë, Kurti ka deklaruar se ish-drejtuesit e UÇK-së janë duke u mbajtur padrejtësisht në Hagë.
Madje ai ka nënvizuar se mbrojtja e tyre duhet të ishte e përbashkët dhe jo që gjithsecili të kishte avokatin personal, sikurse ka ndodhur.
“Unë kam provuar, kur ky proces kishte nisur, kam provuar që krejt këshillin e mbrojtjes t’i bëjë bashkë, sepse unë besoj që mbrojta për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin do të duhej të kishte qenë e bashkuar. Do të duhej ta kishin pasur një mbrojtje, e jo katër, e jo që secili ta kenë të tyrin”, është shprehur Kurti.
Më tej Kurti e sqaroi në detaje se çili do të ishte ndryshimi me një ekip mbrojtës të përbashkët. Ai shpjegoi se në kushtet aktuale avokati i secilit prej 4 ish-krerëve të UÇK do që të lirojë klientin e vetë, ndaj kjo mënyrë e të mbrojturit mund të çojë ata deri në pikën që t’ia hedhin fajin njëri-tjetrit.
“Mos më keqkuptoni, problemi me avokatët është që të gjithë ata duan që klienti i tyre të lirohet, atyre s’ua ndien çfarë u ndodh të tjerëve – kështu që, në njëfarë mënyre, duke pasur secilin prej tyre të burgosur, krerët e UÇK-së, trupa e mbrojtjes e krijoi këtë mundësi që dikush të luajë me mbrojtjen e tyre”, u shpreh Kurt më tej.
Megjithatë sipas Kurtit mbrojtja e krerëve të UÇK-së çalon edhe diku tjetër, pasi ajo do të duhej të kishte qenë më shumë mbrojtje politike, sesa juridike.
“Është paksa histori e gjatë se si kemi mbërritur deri këtu, por besoj me të vërtetë që mbrojtja do të duhej të kishte qenë me njerëz tanë, dhe nuk mendoj që do të duhej të ishte edhe aq mbrojtje juridike, por do të duhej të kishte qenë shumë më shumë mbrojtje politike”, theksoi ai. (A2 Televizion)