Me rastin e 18-vjetorit të vdekjes së ish-presidentit Ibrahim Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë homazhe tek varri i tij.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka vendosur lule mbi varrin e Rugovës.
Abdixhiku, pas homazheve tha se projekti Rugovës për Kosovën, i integruar në strukturat euroatlantike dhe miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës “është projekti ynë”.
“Ai ishte prijës nacional i lëvizjes më të madhe shqiptare… Në këtë 18 vjetor të dhimbshëm, ne ndjejmë jo vetëm dhimbje për humbjen e tij, mungesën e tij, por edhe rikujtojmë mundin dhe përpjekjen …”, tha Abdixhiku.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i vendit, Albin Kurti gjithashtu kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova në 18-vjetorin e vdekjes së tij.
Osmani dhe Kurti kanë vendosur kurora lulesh te varri i Rugovës.

Osmani në një deklarim para mediave pas homazheve që bëri së bashku me kryeministrin, ka theksuar se aleancat që i ndërtuar Rugova do t’i ruajnë përjetë.
“Presidenti Rugova arrit në një kohë jashtëzakonisht të vështirë për popullin tonë të ndërtojë aleanca të cilat edhe sot i duhet Kosovës. Prandaj, sot e përjetë do t’i ruajmë këto aleanca që do të na ndihmojnë që të ecnim përpara drejt realizimit të plotë të vizionit të presidentit historik për një Kosovës të pavarura, sovrane, të integruar në BE e në NATO dhe në miqësi të përhershme me SHBA-të”, ka thënë Osmani.
Poashtu, homazhe kanë bërë ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier dhe shefi i zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog.
Sot mbushen 18 vjet nga vdekja e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Ai ndërroi jetë më 21 janar të vitit 2006, ku u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.Ibrahim Rugova u lind më 2 dhjetor 1944 në Cercë të Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugova, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ibrahim Rugova shkollën fillore e kreu në Istog, të mesmen në Pejë, më 1967. Fakultetin Filozofik – Dega Gjuhë e Letërsi Shqipe e kreu në Prishtinë. Gjatë vitit akademik 1976-77 qëndroi në Paris, në Ecole Pratique des Hautes Etudes, nën mbikëqyrjen e profesor Roland Barthes-it, ku ndoqi interesimet e veta shkencore në studimin e letërsisë, me përqendrim në teorinë letrare. Doktoroi në fushën e letërsisë në Universitetin e Prishtinës, më 1984.
Në vitin 1996 doktor Ibrahim Rugova u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Në fillim ishte redaktor në gazetën e studentëve “Bota e re” dhe revistën shkencore “Dituria” (1971-72), që botoheshin në Prishtinë. Një kohë punoi edhe në revistën “Fjala”. Mandej, për afro dy dekada, Rugova veprimtarinë shkencore e zhvilloi në Institutin Albanologjik si hulumtues i letërsisë. Një kohë ka qenë kryeredaktor i revistës “Gjurmime albanologjike” të këtij Instituti.
Me krijimtari letrare u mor që nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë.
Rugova më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, që u bë bërthamë e fuqishme e lëvizjes shqiptare kundër sundimit komunist serb dhe jugosllav në Kosovë. Si intelektual me nam që i jepte zë kësaj lëvizjeje intelektuale e politike, Rugova u zgjodh, më 23 dhjetor 1989, nga themelimi kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, partisë së parë politike në Kosovë që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist në fuqi.
LDK, nën udhëheqjen e tij, u bë shpejt forca politike prijëse në Kosovë, duke mbledhur shumicën e popullit rreth vetes. Në bashkëpunim me forcat e tjera politike shqiptare në Kosovë si dhe me Kuvendin e atëhershëm të Kosovës, Rugova dhe LDK-ja përmbyllën kornizën ligjore për institucionalizimin e pavarësisë së Kosovës.
Deklarata e Pavarësisë (2 korrik 1990), shpallja e Kosovës Republikë dhe miratimi i Kushtetutës së saj (7 shtator 1990), referendumi popullor për pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës, mbajtur në fund të shtatorit 1991, qenë prelud për zgjedhjet e para shumë-partiake për Kuvendin e Kosovës, më 24 maj 1992.
Doktor Ibrahim Rugova u zgjodh president i Republikës së Kosovës. Ai u rizgjodh në këtë post në zgjedhjet e mbajtura në mars 1998.


















