Krerët e institucioneve të Kosovës ngushëllojnë Francën

E publikuar: 14/11/2015 10:44
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Krerët e institucioneve të Kosovës kanë shprehur dhimbjen e thellë me popullin francez pas sulmeve terroriste në Paris që lanë mbi 150 të vdekur e shumë të plagosur.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është shprehur e tronditur me sulmet terroriste në ‎Paris dhe humbjen e shumë jetëve të pafajshme në këto sulme.

“E ndajmë dhembjen me Francën dhe qëndrojmë me popullin francez kundër terrorizmit”, ka shkruar Jahjaga në profilin e saj në Facebook.

Ndërkaq, kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, nëpërmjet një deklarate, ka shprehur dhimbjen e tij të thellë për viktimat e sulmeve të së premtes mbrëma në Paris, duke dënuar fuqishëm përpjekjet për terrorizimin e popullit francez me akte mizore e terroriste, përmes të cilave po synohet të mbillet frika në krejt botën e civilizuar.

“Në këto momente të vështira, ne ndajmë dhimbjen me popullin dhe institucionet e Francës, por edhe me mbarë botën demokratike, e cila duhet të mobilizohet fuqishëm për ta mundur të keqen që po i kanoset njerëzimit”, ka theksuar kryeministri Mustafa, duke u shprehur në emrin e tij dhe të institucioneve e qytetarëve të Kosovës ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurve shërim sa më të shpejt.

Sipas kryeministrit Mustafa, Franca dhe aleatët tjerë euroatlantikë do të gjejnë formën për t’iu përgjigjur këtij kërcënimi, sepse gabojnë të gjithë ata që mendojnë se mund t’i hedhin poshtë vlerat e lirisë nëpërmjet terrorizimit të njerëzve.

Edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur i shokuar nga sulmet në Paris të Francës.

Ai ka thënë se populli i Kosovës është afër popullit francez në këto momente dramatike

“I shokuar dhe i tronditur nga lajmet për sulmin në Paris. Populli kosovar është në mbështetje të francezëve”, ka theksuar ai.

Sulmet në Paris i ka dënuar edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

“Sonte, është sulmuar qyteti simbol i lirive dhe të drejtave njerëzore, Parisi. Sonte, të gjithë ne, kudo në botë që besojmë në vlerat e lirisë, ndihemi parisienë. Ndihemi francezë. Ngushëllime popullit të madh francez. Ngushëllime shtetit francez, mikut të madh të shtetit tonë”, ka thënë Veseli, transmeton rel.

Pas sulmeve terroriste në Paris, aktivistë të Rinisë Demokratike nga PDK-ja kanë ndezur qirinj në Prishtinë për t’i nderuar viktimat civile.