Shpërthimi vdekjeprurës në Poloninë lindore – një vend anëtar i NATO-s – ka ngritur frikën për një përshkallëzim të mëtejshëm në luftën disamujore Rusi-Ukrainë.
Ministria e Jashtme e Polonisë tha të martën vonë se një “raketë e prodhuar nga Rusia” ra në fshatin polak Przewodów, afër kufirit me Ukrainën, duke vrarë dy persona. Ministria nuk specifikoi llojin e raketës apo nga është gjuajtur, por presidenti i vendit tha se “me shumë gjasa është prodhuar në Rusi”. Incidenti ishte një “veprim i vetëm” dhe nuk ka prova për raketa të tjera, tha kryeministri i Polonisë.
Rrethanat rreth incidentit, i cili shënon herën e parë që një vend i NATO-s është goditur drejtpërdrejt gjatë konfliktit pothuajse nëntëmujor, mbeten të paqarta – duke përfshirë kush e gjuajti raketën dhe nga u shkrep. Të dy forcat, ajo ruse dhe ajo ukrainase, kanë përdorur municione të prodhuara nga Rusia gjatë konfliktit, me Ukrainën që vendosi raketa të prodhuara ruse si pjesë e sistemit të tyre të mbrojtjes ajrore.
Polonia, një anëtare e NATO-s, tha se Varshava po konsideron të përdorë nenin 4 të aleancës së mbrojtjes për të diskutuar shqetësimet e saj dhe gjithashtu do të rrisë gatishmërinë luftarake të disa trupave polake. Neni 4 është një metodë konsultimi që lejon anëtarët e aleancës prej 30 vendesh të sjellin një çështje – zakonisht në lidhje me sigurinë – që i prek ata për diskutim në Këshillin e Atlantikut të Veriut, organin e tij vendimmarrës, shkruan CNN.
Një banor vendas i tha CNN-it se dëgjuan një shpërthim të tmerrshëm ndërsa një predhë fluturonte mbi qytet. Matthew Chance i CNN foli me kujdestarin e një shkolle lokale, i cili tha se forca e shpërthimit tronditi dritaret e klasës, megjithëse nxënësit nuk ishin brenda shkollës kur ndodhi shpërthimi.
Mediat polake raportuan se një predhë kishte rënë në një fermë në vend – afërsisht në të njëjtën kohë kur Rusia nisi valën e saj më të madhe të sulmeve me raketa në qytetet ukrainase në më shumë se një muaj.
Kur raketat ruse hidheshin në objektiva kaq afër kufirit të Polonisë, dhe kur mbrojtja ajrore e Ukrainës aktivizohej për t’i goditur ato, ishte ndoshta vetëm çështje kohe para se të ndodhte diçka e tillë.
Kështu thotë Frank Gardner, Korrespodent i Sigurisë i BBC News.
Tutje, ai thotë se Moldavia është ankuar tashmë për efektin e raketave ruse të lëshuara pranë kufijve të saj.
“Por ajo që ka rëndësi këtu është se cili ishte objektivi i synuar, kushdo që e lëshoi raketën. Dhe deri më tani nuk ka asnjë tregues se Rusia synonte qëllimisht diku përtej kufijve të Ukrainës”, thotë Gardner.
Kremlini, thotë ai, e di se një veprim i tillë potencialisht do të aktivizonte nenin 5 të kushtetutës së NATO-s, duke sjellë teorikisht të gjithë aleancën në mbrojtjen e Polonisë.
“NATO-ja nuk dëshiron të jetë në këtë pozicion, veçanërisht vetëm një ditë pasi shefat e spiunazhit të Rusisë dhe Amerikës sapo janë takuar për të diskutuar se si të shmangin përshkallëzimin e panevojshëm në këtë luftë”.
“Pjesa më e madhe e furnizimeve jetike të Ukrainës me armë mbrojtëse kalon përmes Polonisë. Nëse do të synohej qëllimisht, do të ishte një çështje tjetër. Por këtu nuk duket se është kështu”, tha ai.
Kina ka bërë thirrje për qetësi pas shpërthimit të raketës që vrau dy persona në një fshat polak pranë kufirit me Ukrainën.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning tha në një konferencë për shtyp: “Në situatën aktuale, të gjitha palët përkatëse duhet të qëndrojnë të qetë dhe të ushtrojnë përmbajtje për të shmangur përshkallëzimin e situatës”.
Më herët, Franca kërkoi “kujdes maksimal” në vlerësimin se nga erdhi raketa. Presidenti Biden tha se nuk kishte gjasa të ishte shkarkuar nga Rusia.
Sunak i Britanisë nuk ka ofruar vetë një opinion publik se kush ishte përgjegjës, por Downing Street nuk po kërkon të mos pajtohet me vlerësimin e presidentit amerikan.
Edhe vende të tjera kanë dhënë reagimin e tyre, ka raportuar BBC, transmeton Express.
Presidenti i Estonisë Alar Karis i tha BBC-së Estonia e pa këtë si një incident të izoluar, por tha se lufta duhej të ndalohej sa më shpejt që të ishte e mundur.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan tha se ai respektonte deklaratën e Rusisë që mohonte se qëndronte pas incidentit dhe besonte se Moska “nuk kishte të bënte me të”.
Ministri i Jashtëm i Finlandës Pekka Haavisto tha se është e rëndësishme të dihen detajet e incidentit dhe të “veprohet në përputhje me rrethanat”.
Ndërkohë, shefja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen tha se përfaqësuesit e G7 dhe NATO-s ishin të gatshëm për të ndihmuar Poloninë në hetimin e saj.