Dialogu me Serbinë përplasë Thaçin e Kurtin. Në debat mungojnë Haradinaj e Ahmeti
Raportet e tyre nuk janë aspak të mira. E kjo u pa edhe në konferencën për dialogun, ku Thaçi e Kurti nuk u përshëndeten.
Madje Presidenti Thaçi e injoroi liderin e VV-së, gjatë kohës sa ata qëndruan bashkë në të njëjtin panel.
Thaçi e Kurti, bashkë me shumë liderë politikë të vendit morën pjesë konferencën “Finalja e Madhe” të organizuar nga RIDEA.
Presidenti Thaçi edhe një herë shprehu qëndrimin e tij për një marrëveshje të shpejtë me Serbinë.
“Ne duam që njëherë e përgjithmonë ta qartësojmë marrëdhënien mes dy shteteve. U bënë 20 vjet nga përfundimi i luftës, Kosova dhe Serbia ende nuk kanë arritur marrëveshje të mirëfilltë që do të bënte paqe”.
E i ashpër me Presidentin Thaçi ishte lideri i VV-së, Albin Kurti.
Ai tha se askush nuk ka të drejtë të falë tokën e Kosovës.
“As dëshmorët në varre nuk kanë të drejt të falin tokë…”.
Por, ky fjalim i të parit të Lëvizjes Vetëvendosje, duket se nuk i pëlqeu Presidentit Thaçi.
E nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, pati një kërkesë për pushtetin.
“Ju lus që partitë në Qeveri të mbyllen në zyret e tyre dhe ta mbyllin zhurmën politike të tyre sepse nuk munden me ardhur me 6 opsione”.
Në konferencë nuk u la pa u përmendur edhe korrigjimi i kufijve, të cilën sipas sondazhit të RIDEA-s e përkrahin 30% e popullatës së Kosovës.
Një lider i serbëve të Kosovës, kishte një pyetje për Presidentin.
Ideja e kujt është korrigjimi i kufijve?
I shkurtër në përgjigjën e tij ishte presidenti i Kosovës.
“Këtë ide e kam marrë nga Presidenti Rugova, Nexhat Daci e Lutfi Haziri…”.
Pasi dha përgjigjet që kishte, presidenti u largua nga konferenca.
Por aty la dokumentet të cilat siç duket, pos tjerash i shërbyen presidentit për ta shprehur kreativitetin e tij.
Përmes ‘artit” të tij, presidenti shfaqi edhe mllefin që ka me kundërshtarin më të madh të korrigjimit të kufijve, pas Albin Kurtit.
Politika kosovare është e ndarë sa i përket mënyrës se si duhet gjindet zgjidhja rreth dialogut me Serbinë; ka shumë ide – njejtë si këto shigjeta të presidentit.
Kurse situata aktuale politike në vend përshkruhet më së miri nga ky punim i presidentit i realizuar nga Thaçi, në kohën kur po diskutohej për një zgjidhje ideale që t’i relaksonte raportet Kosovë-Serbi.


















