Krasniqi: VV-së i takon të bëjë zgjedhjen, të vazhdojë bllokadën ose t’i japë Kuvendit kryetarin

E publikuar: 25/04/2025 18:02
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim, ka thënë se Lëvizjes Vetëvendosje i takon që të bëjë një zgjidhje për situatën në të cilën është Kuvendi i Kosovës, duke mos u bërë konstituimi i legjislaturës së nëntë.

Në një postim në Facebook, ai ka thënë se kjo parti në vitin 2019 kishte bërë një zgjidhje, duke propozuar Glauk Konjufcën, i cili më pas dha dorëheqje për t’ia liruar vendin Osmanit.

“Në zgjedhjet e vitit 2019, Lëvizja Vetëvendosje kishte dalë partia e parë, duke fituar 29 mandate. Edhe pse nuk kishte një marrëveshje për bashkëqeverisje me ndonjë parti tjetër politike, Kuvendi me 75 vota kishte zgjedhur Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit. Më vonë, pas marrëveshjes mes VV-së dhe LDK-së, Konjufca kishte dhënë dorëheqje për t’i liruar vendin Vjosa Osmanit”.

“Ky rast nga historia parlamentare e Kosovës mund të jetë relevant edhe sot, kur partia e parë ka vullnet për konstituim dhe ofron një kandidat konsensual, ndonëse nuk i ka votat e mjaftueshme. Edhe tani ka parti që janë shprehur të gatshme të votojnë kandidatë të tjerë nga radhët e VV-së. I takon kësaj të fundit që të bëjë zgjedhjen e saj: të vazhdojë bllokadën, apo t’i japë Kuvendit Kryetarin e tij”, ka thënë Krasniqi.