Situatë e vështirë për ekonominë dhe bizneset si pasojë e pandemisë Covid-19, por edhe një goditje që po e rëndon jetën e qytetarëve në vend.
Kështu ka thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi në një intervistë për KosovaPress, duke theksuar se pandemia tek bizneset dhe për zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës ka pasur impakt mjaft të madh.
Ndonëse ende shteti nuk ka shifra zyrtare për numrin e atyre qytetarëve që kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë, ministri Krasniqi pohon se pandemia ka ndikuar në uljen e punësimit te bizneset, por sipas tij, nuk janë 30 mijë persona ashtu siç po raportohet nga sindikatat dhe komuniteti i biznesit.
Ai po pretendon se kjo shifër është më e ulët për ata që humbën punën e tyre në pandemi.
“Unë konsideroj që është dëmtuar biznesi sigurisht edhe klasa punëtore, por gjithsesi me Ligjin për rimëkëmbje ekonomike ata punëtorë të cilët janë larguar përkohësisht e që do të mbështeten për me këtë ligj… Ne presim hulumtimet në fundvit, sigurisht se do të dalim më statistika të sakta. Nuk janë 30 mijë, ne konsiderojmë se numri është më i vogël për faktin se janë të përkohshëm pasiv i numrit të punëtorëve. Shumë prej bizneseve e kanë bërë përkohësisht për shkak të masave të cilat i ka marrë për shkak të orarit të shkurtuar”, thotë ai.
Veç kësaj, ministri Krasniqi ka thënë se rënie e këmbimeve tregtare në fillim të pandemisë ka qenë 100 përqind, ndërsa në pjesën e dytë 20 përqind.
“Vërtet ka qenë një vit i vështirë për vendin tonë, për ekonominë, bizneset kosovare, por edhe për gjithë botën për shkak të pandemisë Covid-19. Edhe ne si Republikë e Kosovës, bizneset tona, sigurisht që kanë pasur vështirësi sidomos në pjesën e parë të vitit pas asaj mbylljes totale. Kjo ka ndikuar drejtpërdrejt ën zhvillimin ekonomik të vendit tonë. Në atë kohë janë ndalur edhe të gjitha eksportet të cilat bizneset tona prodhuese me produktet e tyre kanë pasur kontrata, ndërsa shumë prej tyre janë detyruar t’i prishin kontratat me vendet e tjera”, thekson ai.
Ministri Krasniqi thotë se MTI përmes Ligjit për rimëkëmbje ekonomike do të ndaj 10.5 milionë euro për bizneset, siç tha ai janë tri masa që do t’i implementohen nga MTI-ja, mbështetje me grante për bizneset prodhuese me makineri, teknologji dhe furnizim me certifikata ISO standarde evropiane.
“Tani edhe pse me vonesë ne kemi miratuar në kuvendin e Kosovës Ligjin për rimëkëmbje ekonomike dhe përmes këtij ligji sigurisht janë një mori masash të cilat drejtpërdrejt do ta mbështesin në përgjithësi edhe klasën punëtore, por kjo sigurisht kjo nuk e plotëson kompensimin e dëmit që I është bërë ekonomisë së vendit që llogaritet diku prej 5-7 përqind. Sigurisht që do t’i kemi statistikat në fund të vitit për ulje të zhvillimit ekonomik… (04’06) Ne i kemi 10.4 milionë euro si MTI të cilat do të shkojnë drejtpërdrejt tek bizneset. Po ashtu Ligji për rimëkëmbje ekonomike parash edhe aktivitet të tjera mbështetëse p.sh prej uljen e TVSH-së 18 përqind në 8 përqind, pastaj janë kreditë për ulje të interesit, të cilat drejtpërdrejt do ta mbështesin biznesin. Shpresojmë që do të ndikon sa do pak në një mbështetje bizneseve”, thekson ai.
Përveç kësaj, MTI-ja në vitin e ardhshëm do të mbështet edhe gratë në ndërmarrësi me grante.
Sa i përket mbylljes së bizneseve, Krasniqi ka thënë se vazhdimisht po përcjellin statistikat përmes Agjencisë së Regjistrimit dhe siç thotë ai, nuk është në masën për të cilën raportohet në media.
Ai pranon se ka një ulje sigurisht dhe një pasivitet të bizneseve, kjo tek bizneset e vogla, mirëpo, ajo që më së shumti janë dëmtuar është veprimtaria e gastronomëve.
Më tej ministri ka thënë se numri i punëtorëve krahasuar me vitet tjera ka një ulje, por që presin si Qeveri t’i kompensojnë përmes Ligjit për rimëkëmbje ekonomike./I.Shabani/