Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është pritur sot në takim nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me të cilin diskutuan për zhvillimet aktuale politike dhe ekonomike, në rajon dhe Evropë.
Lideri i opozitës në Kosovë tha se kryeministrit Kovaçevski i ka uruar 31 vjetorin e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa e ka falënderuar për ndihmën e vazhdueshme që Maqedonia e Veriut ka dhënë për Republikën e Kosovës.
“Gjatë takimit ritheksova se hapja e negociatave për Maqedonisë e Veriut është lajm i mirë edhe për Kosovën, me shpresën që besimi i rivendosur në mes të BE-së dhe rajonit tonë të avancoj sa më shpejtë edhe me liberalizimin e vizave për qytetarët tanë – e drejtë kjo, e mohuar vite me radhë”, ka shkruar kreu i PDK-së në faqen e tij në Facebook.
Ndërsa, kryeministri Kovaçevski e ka njoftuar kreun e PDK-së Memli Krasniqi për hapat që ka marrë Maqedonia e Veriut për të përballuar krizën globale ekonomike, e cila në Kosovë po manifestohet me inflacion rekord, rritje të çmimit të energjisë dhe përkeqësim të jetës së qytetarëve tanë.
“Bashkë diskutuam edhe për projektet infrastrukturore, bashkëpunimin politik dhe proceset integruese. Kosova dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë kultivimin e bashkëpunimit të shkëlqyer ndërfqinjësor dhe mirëbesimit të ndërsjellë, në rrugën e pakthyeshme të integrimit euro-atlantik”, tha Krasniqi.