Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është takuar sot me zyrtarin e lartë amerikan për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan.
Krasniqi përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” tha se në këtë takim u diskutua për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon teksa thotë se ShBA mbeten aleati më i fuqishëm i Kosovës, transmeton KosovaPress.
“Diskutova për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon. Ritheksova përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për bashkëpunim politik, funksionalitet institucional dhe zgjidhje që i shërbejnë qytetarëve. Kosova ka nevojë për stabilitet të qëndrueshëm, ekonomi të fortë dhe zhvillim në çdo fushë”, ka shkruar ai.
Zyrtar i Lartë për Çështje Evropiane në Departamentin e Shtetit, Brendan Hanrahan ka arritur dje në Kosovë ku po zhvillon takime me liderët e partive politike në vend.



















