Krasniqi: Roli i Britanisë dhe uniteti i Quintit, vendimtarë për stabilitetin rajonal

E publikuar: 02/04/2025 13:42
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Kryetari i PDK-s, Memli Krasniqi u takuar me sekretarin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, David Lammy.

Në takim, Krasniqi tha se e informoi Lammyn për vizionin e PDK-së për të marrë përgjegjësinë në formimin e qeverisë së re, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës.

“Vizita e tij konfirmon mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar për Kosovën, veçanërisht në këtë kohë kur kujtojmë të kaluarën dhe miqtë që qëndruan pranë nesh në luftën tonë për çlirim. Mbretëria e Bashkuar ka luajtur gjithmonë një rol të drejtpërdrejtë në proceset kyçe për Kosovën dhe ne dëshirojmë ta shohim atë të vazhdojë këtë angazhim. Sekretarin Lammy e informova për vizionin e Partisë Demokratike të Kosovës për të marrë përgjegjësinë në formimin e Qeverisë së re, nën udhëheqjen e Bedri Hamzës, me objektiva të qarta për zhvillimin ekonomik, rikuperimin dhe forcimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë dhe avancimin e integrimit euroatlantik”, njoftoi Krasniqi në Facebook.

Kreu i PDK-së tha se roli i Britanisë dhe uniteti i Quintit janë vendimtarë për stabilitetin rajonal.

“E mirëpresim emërimin e Ambasadores Karen Pierce si e Dërguar e Posaçme për Ballkanin Perëndimor, duke besuar se përvoja e saj do të jetë e vlefshme edhe në proceset tjera të rëndësishme për Kosovën. Roli i Britanisë dhe uniteti i QUINT-it janë vendimtarë për stabilitetin rajonal. Kosova ka në Mbretërinë e Bashkuar një mik të dëshmuar”, tha Krasniqi.