Krasniqi: Që dy vjet, kjo Qeveri e rrit koston e jetës, emigrimet do të thyejnë rekord

E publikuar: 24/03/2023 14:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, po e cilëson rritjen e çmimit te energjisë elektrike si goditjen e radhës për të gjitha familjet kosovare.

“Në këto dy vjet, përmes të gjitha veprimeve të saj, kjo Qeveri vetëm sa e ka rritur koston e jetesës për qytetarët e Kosovës, duke keqkuptuar dhe keqpërdorur në thelb misionin e saj”, ka shkruar ai në Facebook.

Shkrimi i plotë:

Vitin e kaluar e rritën mbi 100% çmimin e energjisë elektrike. Megjithatë, kësaj qeverie, që simbol të saj e ka sekserin e tregtisë me energji, Martin Berishajn, nuk u mjaftoi kjo. Dje, çmimin e energjisë elektrike për të gjithë qytetarët tanë e rritën edhe për rreth 15 %.

Ky veprim është goditje e radhës për të gjitha familjet kosovare, të cilat, në këtë periudhë të krizës dhe ngritjes së të gjitha çmimeve të tjera, po varfërohen çdo ditë e më shumë. Në këto dy vjet, përmes të gjitha veprimeve të saj, kjo Qeveri vetëm sa e ka rritur koston e jetesës për qytetarët e Kosovës, duke keqkuptuar dhe keqpërdorur në thelb misionin e saj.

Një gjë është e sigurt: me këtë lloj qeverisjeje, e cila po vështirëson dhe rëndon jetën e qytetarëve në çdo aspekt, numri i atyre të cilët do të emigrojnë do të vazhdojë të thyej rekorde të reja. I indinjuar thellësisht me këtë kaos qeverisës, i cili po e kërcënon në vazhdimësi mirëqenien e qytetarëve dhe stabilitetin e shtetit tonë. Mjaft më!