Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, vlerëson se kërkesat e dhe propozimet që i ka dhënë ai dhe partia e tij për dialogun me Serbinë, janë pranuar dhe po bëhen pjesë e qasjes së re.
Madje, Krasniqi thotë se qysh në fillim kanë rekomanduar që të afatizohet dialogu dhe mos të diskutohet për çështje teknike.
Megjithatë, Krasniqi theksoi se me një përkushtim nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit për të quar tutje procesin e dialogut dhe për të punuar në drejtim të arritjes së aspiratave shtetërore një gjë e tillë është e mundshme.
“Mua më vjen mirë që kërkesat dhe propozimet që i kemi dhënë si PDK dhe unë personalisht në të gjitha takimet qoftë me zotëri Eskobar qoftë edhe me Lajçak tashmë janë duke u pranuar dhe po bëhen pjesë e qasjes së re. Ne kemi thënë qysh herët që të ketë afatizim sa i përket procesit të dialogut. Kemi kërkuar që të mosdiskutohen ndaras temat teknike”.
“Edhe në takimet që kam pasur në Uashington e Bruksel që është duke u pranuar kjo qasje pa çka se është me vonesë sepse kemi mundur që një qasje të tillë ta kemi qysh vitin e kaluar. Megjithatë pa dashur që të komentoj afatet unë jam i sigurt se sikur të ketë një përkushtim një fokus nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit për të quar tutje procesin e dialogut dhe për të punuar në drejtim të arritjes së aspiratave shtetërore konsideroj që një gjë e tillë është e mundshme”, ka thënë Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online.
E sa i përket planit franko-gjerman, Krasniqi tha se ky plan është vështirë të pranohet nga Kosova.
Sipas tij, pa u arritur njohja e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, anëtarësimit në NATO, dhe marrja e statusit kandidat është e pamundur të shkohet drejt marrëveshje finale që ka në qendër njohjen reciproke.
“Plani i ashtuquajtur franko-gjerman në versionin aktual është vështirë të pranohet nga Kosova, por unë jam i bindur që duhet të diskutohet për këtë dhe e kam inkurajuar kryeministrin për të shkuar në drejtim të arritjes së pesë shtyllave kryesore që janë të domosdoshme për arritjen e marrëveshjes si, ruajtja e karakterit unitar të shtetit të Kosovës”.
“…njohja e Kosovës nga pesë shtet anëtare të BE-së që nuk na kanë njohur, fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në BE dhe njohja e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pa i arritur këto nuk do të kemi marrëveshje finale”, tha Krasniqi.