Drejtori i përgjithshëm i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë thotë se nëse merren parasysh ngjarjet që kanë ndodhur së fundmi në Kosovë, përfshirë rikthimin e nxënësve në shkolla, pastaj fushatat e partive politike dhe tubimet në masë, në javët në vazhdim mund të pritet rritje e rasteve me COVID-19.
Krasniqi nuk ka dashur të komentojë lehtësimin e masave kundër COVID-19 nga Qeveria në detyrë e Kosovë, por ka thënë se aktualisht situata me koronavirus është më e mirë sesa muajt e kaluar dhe se numri prej rreth 500 pacientëve të hospitalizuar është nën kontroll.
Ai ka folur për variantin e ri britanik si dhe për përgatitjet që kanë bërë për vaksinim.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Krasniqi, si është gjendja në Kosovë sa i përket sëmundjes COVID -19 dhe sa po arrihet të menaxhohet situata epidemiologjike?
Valbon Krasniqi: Siç keni qenë të informuar në vazhdimësi, sidomos në muajt e fundit kemi një situatë më të qetë sa i përket situatës epidemiologjike të COVID-19 në Kosovë, përfshirë këtu edhe menaxhimin klinik të rasteve. Kur jemi të menaxhimi klinik i pacientëve të prekur nga COVID-19, në këto tri javët e fundit kemi pasur numër më të vogël të pacientëve të shtrirë, numri i tyre është sjellë diku rreth 480 deri në 530 pacientë të shtrirë nëpër të gjitha spitalet e përgjithshme dhe në QKUK.
Si rezultat i kësaj situate, më 5 janar kemi rikthyer të gjitha shërbimet specialistike nëpër ambulanca specialistike dhe po ashtu kemi rikthyer edhe operacionet në lëmi të caktuara dhe kemi vazhduar në rikthimin gradual të të gjitha shërbimeve.
Radio Evropa e Lirë: A ka bërë që kjo situatë e qetë që po paraqiteni ju, që qeveria në detyrë të marrë masa lehtësuese kundër COVID-19?
Valbon Krasniqi: Në fakt, situatën e kemi më të mirë, më të favorshme sesa muajt e kaluar. Muajt nëntor -dhjetor ishin muaj të rëndë për sistemin tonë shëndetësor. Në javën e fundit të nëntorit, numri i pacientëve nëpër klinika tona kishte arritur deri në 1,010 edhe ky numër prej rreth 500 raste ende është i lartë, mirëpo është i menaxhueshëm dhe e kemi nën kontroll situatën.
Radio Evropa e Lirë: Prisni që të ketë rritje të numrit të rasteve në javët në vijim?
Valbon Krasniqi: Ne po i përcjellim me vëmendje situatën epidemiologjike në nivel vendi dhe jo vetëm në vend, por edhe në shtetet përreth dhe më gjerë. Jemi dëshmitarë që në shumicën e shteteve janë duke përjetuar një valë të re të rasteve me numër të madh të të infektuarve.
Nëse marrim parasysh ngjarjet të cilat kanë ndodhur në vendin tonë, përfshirë edhe rikthimin e nxënësve në shkolla, më pastaj fushata e partive politike, tubimet në masë, ne mund të presim që mund të kemi më shumë raste të reja në javët në vazhdim. Sidoqoftë, ne do ta përcjellim me vëmendje këtë situatë dhe karshi çdo ngjarje të reagojmë me kohë. (Intervista e plotë në rel.