Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media në Kuvendin e Kosovës ka njoftuar që Grupi Parlamentar i PDK-së nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, për shkak të mospërfshirjes së veteranëve të UÇK-së në projektligjin për pagën minimale.
Krasniqi tha se injorimi i veteranëve nga Qeveria Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje është turp i madh, pjesë e të cilit Partia Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet kurrë dhe do ta kundërshtoj fuqishëm.
“Propozimet tona kanë qenë që paga minimale të jetë në nivelin e tillë, që të mundësojë mbulimin e nevojave elementare për punëtorët dhe familjet e tyre, gjë që nuk është as për së afërmi e kënaqshme me propozimin e qeverisë që e ka sjellë me projektligj. Por në vend se të fokusoheshim për të shqyrtuar mundësitë dhe për të ndërtuar një politikë të mirëfilltë që përmes përcaktimit të pagës minimale të arriheshin disa objektiva sociale, qeveria e ka devijuar komplet debatin duke vendosur njëanshëm dhe në mënyrë të turpshme, që të përjashtojë kategoritë e veteranëve të UÇK-së nga ky ripërcaktim i pagës minimale.”, tha Krasniqi.
Lideri i PDK-së ia kujtoi Qeverisë Kurti se veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë më meritorët për lirinë tonë, dhe se shteti ynë e pavarësia jonë e ka në themel luftën për liri të këtyre burrave e grave që kanë rrezikuar jetën dhe kanë lënë pjesët e trupit nëpër vija të frontit.
“Fatkeqësisht, Kryeministri Kurti dhe qeveria e udhëhequr prej tij, me vetëdije të plotë është duke u përpjekur të shkëpusë kujtimin dhe nderimin e kësaj sakrifice.
Qasja e kësaj qeverie në mënyrë të vazhdueshme e ka shpërfillur lavdinë dhe sakrificën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe këtë shpërfillje është duke e manifestuar edhe zyrtarisht. Me vendimin për të mos e përfshirë kontributin e veteranëve të UÇK-së në ligjin e ri që përcakton pagën minimale, Kryeministri Kurti është duke u përpjekur të lëkundë themelet e dinjitetit të këtyre burrave e grave, që janë më meritorët për lirinë që e gëzojmë sot. Kjo nuk është vetëm padrejtësi ndaj veteranëve, por edhe përpjekje për të tjetërsuar të vërtetën historike mbi të cilën qëndron themeli i lirisë dhe pavarësisë sonë.”, tha ai.
Krasniqi duke e konsideruar këtë sjellje të papërgjegjshme karshi veteranëve si absurde dhe të pafalshme, u bëri thirrje qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim.
“Në vend se të kishim sot debat për nivelin e pagës minimale për të vendosur pak më shumë drejtësi, qeveria ka vendosur që të bëjë padrejtësinë më të madhe e më të turpshme ndaj atyre që janë pjesë e dinjitetit tonë kombëtar e historik. Prandaj, injorimi dhe mos përfshirja e kompensimit të veteranëve të UÇK-së në ligjin për pagën minimale është një turp, pjesë e të cilit ne nuk do të bëhemi kurrë dhe do ta kundërshtojmë fuqishëm. Mbi këtë bazë, Partia Demokratike e Kosovës sot nuk do të marrë pjesë në seancën e Kuvendit. Para se e njëjta të fillojë, dua që nga këtu t’i bëj thirrje edhe një herë qeverisë që ta kthejë prapa këtë projektligj dhe mos ta procedojë tutje për miratim.”, theksoi kryetari i PDK-së.