Krasniqi letër Kurtit, Abdixhikut e Haradinajt, i fton për shpërndarje të Kuvendit më së largu deri më 29 maj

E publikuar: 24/05/2024 17:01
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Memli Krasniqi

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka bërë të ditur se u ka dërguar letër kryetarit të VV-së dhe kryeministrit Albin Kurti, atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, në të cilën tha se e ka ritheksuar qëndrimin e PDK-së për nevojën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Krasniqi tha se në takimin e fundit që e ka zhvilluar me secilin lider të tri partive parlamentare, ka shprehur qëndrimin se zgjedhjet sot janë domosdoshmëri qytetare dhe jo dëshirë politike, teksa shtoi se tani është koha që të veprojnë të koordinuar dhe me hapa konkretë.

“Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar datat 30 qershor ose 7 korrik për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe për shkak të afateve ligjore dhe kushtetuese, për të arritur njërën nga këto data, mocioni procedural për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, do të duhej të votohej më së largu deri më 29 maj. Andaj, edhe sot, unë i ftoj të gjitha partitë parlamentare që të koordinohemi e të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve tanë”, shkroi Krasniqi.

Më tej, Krasniqi tha se qytetarët e vendit kanë nevojë për qeveri të re, që sipas tij, fokusohet në zhvillim ekonomik, mirëqenie qytetare dhe integrim euro-atlantik.

“Zgjedhjet e reja janë thelbësore për të krijuar një Kuvend funksional që është në shërbim të interesit qytetar”, tha ai.