Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se në Kosovë ekziston problemi me grevistë, sepse kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk dëshiron të gjejë zgjidhje, por dëshiron konflikt, ka thënë lideri i opozitës.
“Më duhet ta them se krejt leximin e situatës ti e ke konceptuar jo normalisht dhe kjo po na sjellë në një element tjetër tek modeli yt i qeverisjes”, tha Krasniqi në seancën parlamentare ku po diskutohet greva e sindikatave të bashkuara që ka lënë fëmijët pa filluar mësimin me 1 shtator.
“I ke fituar zgjedhjet me mbi 50 për qind, por ka dy rrugë qysh një udhëheqës e përjeton një mbështetje të tillë: si përgjegjësi ose si paternalizëm, po ta kishe kuptuar si përgjegjësi, sot do flisnim për projekte zhvillimore jo për greva”, deklaroi kryetari i PDK-së.
“Ti e ke kuptuar si paternalizëm. Kushdo thotë në Kosovë që ka problem;, për ty është ose është i korruptuar, ose zhvatës, ose sabotator, ose ta do të keqën ty e Kosovës”.
“Po, s’është kështu”, shtoi Krasniqi. “S’ka qenë kurrë as nuk do jetë në të ardhmen. Kjo është e drejtë demokratike s’mund të shuhet nga askush”.
“Por, ty nuk të intereson zgjidhja, por konflikti, ti je njeri i tensioneve, e ke problem të sillesh në situatë normale. Megjithatë, njerëzit po kërkojnë normalitet, jo konspiracion, jo fantazi”.
Kransiqi, ka thënë se është faji i kryeministrit Kurti pse shkollat ende nuk janë hapur për nxënësit.
Ai ka thënë se përfaqësuesit e sindikatave po i linçon dhe saboton dhe se me këtë ka krijuar një precedent të rrezikshëm.
“Ke krijuar precedentin më të rëndë për secilën kategori. E ke vendosur në fokus Rrahman Jasharin, duke i ngjitur tulifar epiteti. Me këtë ke treguar se që do t’i sabotosh, do t’i penalizosh dhe do t’i linçosh me armatën tënde virtuale të Facebook-ut. Ke treguar se më dialog social s’ka se ti ke ardhur në pushtet. Lej shpjegimet, gjej zgjidhje”.
Krasniqi bëri edhe një zotim në rast se Kurti e pranon “gabimin”.
“Nëse e kupton që je qasur gabimisht, zotohem publikisht se nuk ta përmendim më”.
“Edhe nëse s’je problemi, ti je zgjidhja. Po të kërkoj dhe të them që duhet të zgjidhësh nyjën, pjesë e së cilës je bërë edhe vetë. E dimë që këto janë jashtë planifikimeve që ti ke bërë. Por e di mirë që situata të tilla ndodhin. Na kanë ndodhur edhe neve”.
Krasniqi tha se sindikatat historikisht kanë qenë në aleancë më shumë me Vetëvendosjen se dikë tjetër.
“Njerëzit e sindikatave nuk flasin për vete personalisht, por i përfaqësojnë. Mënyra se si je qasur ka qenë dhe po mbetet e gabuar, prandaj jemi në këtë situatë. S’është se kush ka të drejtë, por se kush e zgjidh këtë. Padrejtësinë më të madhe sot po e përjetojnë nxënësit, prindërit dhe mësimdhënësit. Kjo është përgjegjësia jote”.
Krasniqi akuzoi Kurtin se po sillet pa përgjegjësi dhe me patronalizëm, derisa në fund i tha se i ofron mbështetje nëse dilet nga pozicioni i grevës.
Krasniqi i tha Kurtit “Mos lufto si Don Kishoti me armiq imagjinarë që realisht nuk i ke”.
“Gjej zgjidhje, ne po të mbështesim. Mos lufto si Don Kishoti me armiq imagjinarë që realisht nuk i ke”.