Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se po ndjekë me shqetësim situatën e krijuar në shumë vende të Kosovës, pas reshjeve të shumta atmosferike të cilat dhe shkaktuan vërshime e probleme të tjera.
Për këtë ai bëri të ditur se ka komunikuar me kryetarët e Mitrovicës dhe Skenderajt, dy prej komunave siç raportohet më të prekura nga përmbytjet si pasojë e shiut, përcjell klankosova.tv.
Madje Krasniqi apelon se në raste të tilla të krizave emergjente, qytetarët duhet ta kenë ndihmën dhe mbrojtjen e shpejtë dhe të vazhdueshme të shtetit.
”Reshjet atmosferike kanë shkaktuar vërshime dhe probleme të tjera në shumë qytete të Kosovës, posaçërisht në Mitrovicë dhe Skënderaj, duke i ballafaquar qytetarët me mungesa të ujit të pijshëm, bllokim të rrugëve dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë ditës së sotme kam komunikuar me kryetarët e Mitrovicës dhe Skënderajt, Bedri Hamza dhe Fadil Nura, ku u kam shprehur solidarizimin e plotë me ta dhe qytetarët e këtyre dy komunave në këto momente të vështira për ta.
Duke qenë se parashikimet për motin paralajmërojnë një javë me reshje të vazhdueshme, i bëjë thirrje qeverisë të ndërmerr veprime të shpejta dhe të krijojë ekipet e nevojshme për menaxhim të mirë të situatës, me qëllim të minimizimit të dëmeve.
Rastet si në vitin e kaluar, ku ekonomitë familjare dhe bizneset kanë pësuar nga vërshimet dhe keqmenaxhimi i situatës, është e papranueshme të përsëriten.
Në raste të tilla të krizave emergjente, qytetarët duhet ta kenë ndihmën dhe mbrojtjen e shpejtë dhe të vazhdueshme të shtetit, krahas veprimeve konkrete për kompensimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara”.