Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se kauza e vetme e njerëzve sot është me arrit në pushtet, për të bërë para dhe pasuri. Krasniqi këto komente i bëri në emisionin ‘Rrokum Roll’ me Fidan Jupollin në Televizionin Rrokum.
Krasniqi ka theksuar se që nga paslufta nuk ka pasur asnjë komunikim të mirëfilltë, duke shtuar se prej atëherë filloi rruga e mbrapsht e Kosovës së lirë.
Sipas tij, që atëherë nuk ka pasur asnjë përpjekje, por as sot për të gjetur të përbashkëtat nga liderët politikë në Kosovë.
Krasniqi ka theksuar se sot është kap shteti dhe përmes tij janë kap instrumentet e tij.
Ai ka theksuar se vetë kërkesa e Ëashingtonit e Brukselit, për të themeluar një Gjykatë Speciale është treguesi më i mirë se drejtësia në Kosovë ka dështuar por ka dështuar edhe drejtësia ndërkombëtare në Kosovë.
Krasniqi ka shtuar se liderët në Kosovë nuk janë të interesuar që t’i afrojnë njerëzit me dinjitet afër vetës, por njerëz të dëgjueshëm, që i thonë shefit ti je ma i miri apo pse po din kaq mirë.
Ai ka paralajmëruar edhe botimin e një libri për të gjitha të bamat në PDK.
Derisa për Pacollin ka theksuar se nuk ka qenë ide e mirë asnjëherë që ai të bëhet president, derisa biznesin e tij nuk e ka mohuar.
Krasniqi sa i përket protestave ka theksuar se duhet shikuar kauza e qytetarëve e jo numrat, duke shtuar se qytetarët e Kosovës kanë arsye për të protestuar më shumë se kurrë. /TV Rrokum/