Krasniqi i përgjigjet Gashit: Jo gjithçka bëhet për arsye elektorale

E publikuar: 06/04/2015 12:55
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Deputeti nga radhët e LDK-së, Arben Gashi sot tha se protestat e VV-së, AAK-së dhe NISMA-së i kupton pasi që të bëhen për të mbajtur afër elektoratin e tyre. Mirëpo i të njëjtit mendim nuk është zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi.

Ai ka thënë se jo gjithçka bëhet për arsye elektorale duke shtuar se një gjë e tillë nuk është  e kuptueshme për subjektet që bëjnë gjithçka për të arritur në pushtet.

“ Jo gjithçka në këtë vend bëhet për arsye elektorale, siç mendon Arben Gashi. Por kjo nuk është e kuptueshme për subjektet që janë të gatshme të braktisin çdo marrëveshje dhe fjalë të dhënë, për të arritur në pushtet. Ne po protestojmë kundër kapjes së shtetit, ngase partia e Arbenit ia humbi rastin Kosovës që në mënyrë institucionale të çlirohet nga kjo kapje”, ka shkruar Krasniqi.

Ai më tutje ka shtuar se krejt çka u ka mbetur qytetarëve tani është rruga.

“Dhe po protestojmë jo vetëm sepse kemi të drejtë por sepse kjo është bërë e domosdoshme dhe e pashmangshme në një gjendje ku çdo institucion publik, duke filluar nga gjykatat për të vazhduar tek televizioni publik, është vënë nën kontrollin e Qeverisë. Krejt çka i ka mbetur qytetarëve është rruga. Edhe këtë të fundit pat tendenca që t’ia ndalojnë, por normalisht që këtu pushteti është i pafuqishëm – sado që e përdorë dhunën”, ka përfunduar ai./Zeri/