Ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, thotë se Gjykata Speciale do të lë pasoja afatgjate politike, duke dëmtuar më shumë të sotmen, sesa të shkuarën e vendit.
Ish-zëdhënësi politik i UÇK-së, nuk dyshon lufta çlirimtare e Kosovës ishte e pastër, duke shtuar se akuza e tmerrshme që i ngarkohet asaj për trafikim të organeve nuk do të verifikohet kurrë.
Derisa për raportin e Dick Marty-t, Krasniqi thotë se kryekëput është i ngritur mbi gënjeshtra dhe hartuesit e tij janë në Beograd.
Ndërsa në pyetjen se kush mund të arrestohet në ketë proces, Krasniqi nuk ka permendur emra.
Krasniqi thotë se vendimi i Kuvendit për përshpejtimin e votimit të Gjykatës Speciale, përbën shkelje por se për këtë nuk ka qartësi as në Kushtetutë e as në rregulloren e punës së Kuvendit.
Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit në vitet 2008-2014 , thotë se procedurat në rastin e votimit të Gjykatës janë të dyshimta dhe opozita ka pasur të drejtë që e ka kundërshtuar.
Por, ai thekson se nuk ka përcaktim të qartë të këtyre procedurave në rregulloren e Kuvendit e as në Kushtetutën e vendit.
“Procedurat realisht mund të jenë të dyshimta dhe me të drejtë opozita i ka ngrit shqetësimet e veta i ka prezentuar komentet e veta dhe është një rikthim shpejt e shpejt në Kuvendin e Kosovës, ndonëse as rregullorja e punës së Kuvendit e as Kushtetuta jonë nuk e sqaron këtë çështje mirë. Por, kur dokumentet, qoftë ligji, qoftë Kushtetuta, diçka nuk e shpjegon mirë atëherë duhet të shikohet siç janë praktikat tjera në vendet demokratike”, tha Krasniqi për televizionin Rrokum.
Sipas tij, vendimi i Kuvendit tashmë është i plotfuqishëm edhe pse opozita mund ta dërgoj çështjen në Gjykatën Kushtetuese.
‘Por nuk ka me pasë ndonjë përfundim pozitiv duke njohur praktikën e deritashme të marrjes së vendimeve në Gjykatën Kushtetuese që shpeshherë nuk kanë qenë as në frymën e Kushtetutës tonë. Dhe ato zakonisht duhet të jenë në përputhje me frymën kushtetuese ose me frymën e praktikës parlamentare se vendi ynë është Republikë Parlamentare”, tha Krasniqi.