Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktgjykimin e fundit për mënyrat procedurale për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Sipas aktgjykimit të publikuar nga Gjykata Kushtetuese, deputetët duhet t’i rikthehen votimit të hapur për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Poashtu Kushtetuesja, ka limituar votimin për një kandidat për kryeparlamentar në vetëm tre herë.
Pas publikimit të aktgjykimit, ka reaguar i pari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Krasniqi tha se ky vendim vulosi të vërtetën që partia e tij i ka dhënë zë me muaj me radhë.
Tutje, ai thotë se Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur peng Kuvendin e Kosovës qëllimisht për interesa të pushtetit.
“Sot, Gjykata Kushtetuese vulosi të vërtetën që për muaj me radhë e kemi thënë me zë të lartë, si Parti Demokratike e Kosovës: Lëvizja Vetëvendosje e ka mbajtur peng Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke e bllokuar qëllimisht dhe në mënyrë të planifikuar funksionalizimin e tij për interesa të ngushta pushteti, me veprime tërësisht jashtë kushtetutës”, tha ai.
Këtë vendim Krasniqi e quan si fitore të rendin kushtetutes, për Kuvendin dhe për qytetarët e Kosovës.
“Ky vendim është fitore për rendin kushtetutes, për Kuvendin dhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Ata që zgjodhën krizën, dështuan. Ne që zgjodhëm Kushtetutën, fituam”, përfundoi Krasniqi postimin e tij në Facebook.


















