Krasniqi e quan Vllasin komunist jugosllav, mashtrues e gënjeshtar

E publikuar: 19/03/2015 11:30
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Ish-kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi i ka reaguar sërish Azem Vllasit për deklaratat që i ka bërë në lidhje me protestat e viteve të 80-ta.

Krasniqi e ka quajtur Vllasin komunist jugosllav të kastruar.

Lexoni më poshtë postimin e Krasniqit në Facebook.

PSE LËVIZJA PËR BASHKIM KOMBËTAR U SHNDËRRUA NË LËVIZJE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS

“Këtu do të lexoni edhe si Vllasi i jugosllavizuar e quante edhe Enver Hoxhën, nacionalist shqiptar. Keni durim dhe lexojeni se çka thoshte dje e çka thotë sot, ky i përdheluri i nostalgjikëve serbo/jugosllav, madje edhe sot, pas ati lumi të madh gjaku që ndau Kosovën nga Serbia.

Në fillim të viteve ’70, Lëvizja Kombëtare (e fshehtë) do të bëjë një hap që nuk e kishte bërë më ato përmasa deri atëherë. Filloi të botohej në Kosovë revista ilegale (shpërndarja bëhej në mënyrë të fshehtë) për opinion publik. Njëra nga të parat ishte “Zëri i Kosovës” ( 01.02.1974), organ i Grupit Revolucionar të Kosovës (GRK).

Ky organ që në numrin e parë shkruan: “Është detyrë e shenjtë e popullit shqiptar të Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi, veçanërisht e rinisë revolucionare, të cilët gjinden nën zgjedhën e rëndë titiste, të luftojnë për pavarësinë kombëtare dhe për bashkimin e Atdheut tonë ”. Në decenien e tetë të shekullit XX, Lëvizja Kombëtare për çlirim, nëpërmjet GRK do të prezantohej suksesshëm, me një qartësi të madhe politike, kombëtare, intelektuale dhe programore.

Grupi Revolucionar i Kosovës, për shkak të burgosjeve të disa veprimtarëve të tij, shtrëngohet ta ndërpresë botimin e “Zërit të Kosovës”, të ndryshojë emrin e organizatës në Grupi Marksist Leninist i Kosovës (GMLK) e më vonë në Organizatë Marksiste Leniniste të Kosovës (OMLK), kurse gazetën do ta zëvendësojë “Pararoja”, e cila më vonë do të zëvendësohet nga gazeta “Liria”, e dedikuar për opinionin e gjerë lexues. Lëvizja Kombëtare e organizimit klandestin, i kishte ngarkuar vetes si qëllim çlirimin kombëtar, shoqëror dhe bashkimin e atdheut. Këtë e deklaron fuqishëm që në numrin e parë të “Zërit të Kosovës”, ku thuhej: “Ne kemi përpara tri detyra të mëdha: çlirimin kombëtar, çlirimin shoqëror dhe bashkimin me Atdheun amë, d.m.th. me Republikën Popullore të Shqipërisë. Vetëm kjo e fundit i jep kuptim të plotë dy të parave .”

Për Lëvizjen Kombëtare ishte e qartë se rruga e lirisë ishte e gjatë, e vështirë dhe kërkonte disiplinë të çeliktë në rradhet e organizatës. Misioni i ilegales ishte t’i “organizonte vrullet njerëzore” për t’i orientuar energjitë e popullit shqiptar në luftën politike për liri e demokraci. Në një Dokument të tij, GRK do të shkruajë: “Lufta politike në kondita të ilegalitetit nuk është një gjë e thjeshtë, aq më pak e lehtë. Ajo është një luftë plot mund, vuajtje dhe sakrifica. Prandaj që në fillim të punës së organizuar në celulë, ekziston mundësia që ne të burgosemi, të torturohemi, etj. Me një fjalë, pra, i ekspozohemi një rreziku të madh, kur dihet se kemi të bëjmë me një armik të rrezikshëm që nuk ka lënë gjë pa bërë në kurriz të popullit tonë. Andaj, ne duhet ta dimë: së pari, para kujt gjendemi, së dyti, kënd përfaqësojmë dhe së treti, çfarë interesash mbrojmë .” Ky material u dedikohej vetëm anëtarëve të celulave të GRK.

Pra, ata djem e vajza që ishin organizuar i dinin dhe i njihnin mirë se para çfarë rreziqeve po ekzpozoheshin dhe çka i priste nëse binin në duart e armikut dhe lakejve të tij. Ketë ata e bënim me një ndergjegje të madhe, njerëzore, politike, intelektuale e kombëtare. Këto revista, e traktet lexoheshin dorë me dorë, nga një lexues të tjetri, sipas kërkesës së njohur: “Lexoje, shpërndaje, armikut mos ia dorëzo” . Kjo ishte një cilësi e re e Lëvizjes Kombëtare ( klandestine ). Më parë, materialet e shkruara kishin qenë material i organizimit të brendshëm, kur me opinionin publik kishin komunikuar me trakte (pamflete). Gjatë viteve ’70, e në fillim të viteve ’80 fillojnë të shpërndahen nga dora në dorë gazetat që botoheshin në Kosovë dhe jashtë atdheut si: “Zëri i Kosovës” (Kosovë 1974 – dolën disa numra, janë ruajtur vetëm dy-tre numra), “Bashkimi”, “Liria” dhe “Lajmëtari i Lirisë”, më vonë edhe “Zëri i Kosovës”, “Pararoja”, “Punëtori” etj. “Zëri i Kosovës” pati jetë më të gjatë (nga fundi i vitit 1981 – 1999). Këto organe shtypi dallonin shumë nga gazetat e politikës zyrtare që botoheshin në Prishtinë, si “Rilindja” që ishte organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Kosovës dhe në Shkup “Flaka e Vëllaznimit”, organ i LSPP-së të Maqedonisë.

Shtypi i ilegales synonte sqarimin dhe mbrojtjen e interesave të shqiptarëve në trojet e pushtuara, ndërsa shtypi i regjimit jugosllav e mbronte politikën pushtuese dhe ishte zëdhënëse i fuqishëm i regjimit të huaj në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare në Jugosllavi.

Shtypi zyrtar i Shqipërisë ndërsa nuk kishte vështirësi të vihej në mbrojtjen e interesit kombëtar. Politika zyrtare e Shqipërisë prezantohej kryesisht në organin e Partisë së Punës së Shqipërisë, në gazetën “Zëri i Popullit”, në TVSH dhe në Radio Tiranën. Ndikimi i këtyre mediumeve të shkruara e elektronike ishte i dukshëm edhe në shtypin e organizatave të fshehta revolucionare, brenda e jashtë atdheut. Ishte koha kur Shqipëria po vizitohej edhe nga nacionalistët (atdhetarët) shqiptarë nga Kosova dhe ishte ai një sinjal për bashkimin e shqiptarëve pa dallime klasore, krahine a feje për luftën çlirimtare.

Mbrojtja e vazhdueshme që po i bënte shtypi në Shqipëri, popullit dhe rinisë shqiptare në trojet e pushtuara nga Jugosllavia, i shtyri redaksitë e gazetave dhe të RTP-së, që ta akuzonin udhëheqjen e Shqipërisë dhe Enver Hoxhën se i “kishin humbur të gjitha kriteret klasore për t’i dalluar nacionalizmin dhe nacionalen …”.

Ndërsa “Zëri i Rinisë” në Prishtinë, botonte komentin e huazuar të gazetës “Komunisti”, organ i komunistëve jugosllavë, botimi në gjuhën shqipe në të cilin koment, Enver Hoxhës ia ngarkonte, si një “faj” të madh, betimin e tij para varrit të Bajo Topullit, ku ai kishte pas thënë: “Betohem se do të luftoj për bashkimin e vërtetë të kombit” . Ky ishte një sulm i ri i luftëtarëve të luftës së “klasave” në Jugosllavi, me të cilin dëshironin ta detyronin politikën e Shqipërisë të hiqte dorë nga mbështetja që ata i bënin luftës së drejtë të popullit shqiptar të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare në Jugosllavi. Pra atëherë, jo vetëm “kundërrevolucionarët”, “seperatistët” e “nacionalistët” shqiptarë në Kosovë, por edhe udhëheqësi komunist i Shqipërisë, Enver Hoxha nga komunistet jugosllavë përfshirë edhe ata shqiptarë (të kastruar) nga Kosova, i quanin “nacionalist”, “irrendentistë”, “shovinistë” etj.

Ndërsa sot i njëjti Azem Vllasi i quan “marksistë-leninistë”, “enveristë”. “Stalinistë” etj.?! Po kjo është fytyra e renegatëve, të gënjejnë e të mashtrojnë sa herë t’ju ipet rasti dhe rasti renegatëve shqiptarë po u vije shpesh mundësia të nxjerrin kokë.?!
Shqiptarët kurrë nuk e kanë ndalur luftën për liri, për çlirim e bashkim kombëtar. Ndjekjet e burgosjet në Kosovë e në trojet tjera etnike në ish Jugosllavi vazhduan edhe gjatë fundit të viteve ’70, edhe pse ishin më të kufizuara. Në fillim të viteve ’80, pas vdekjes së Titos është parë qartë se kursi i politikës jugosllave e sidomos i asaj serbe, po ndryshonte esencialisht në dëm të shqiptarëve dhe ndaj të gjithë atyre që nuk ishin serbë.

Këtë, ndryshim të kursit të politikës jugosllave e paralajmëronte politika zyrtare e Shqipërisë. Programet e Radio Televizionit Shqiptar po përcilleshin me shumë kujdes e interesim në Kosovë. Nga shtypi shqip i kohës po kuptohej qartë se qeveritarët serbë, mbështetjen po e kërkonin te forcat e armatosura, në polici e sidomos në policinë sekrete serbe, politike dhe ushtarake.

Lëvizja Kombëtare për Republikë në Kosovë, me guxim dhe me argumente ia zbuloi fytyrën e vërtetë politikës nacionaliste serbe e cila veç sa e kishte pritur momentin për ta rishfaqur shovinizmin serb, në veçanti më 24 shtator 1986 në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave e Arteve (ASSHA-së). Ky pamflet nacionalist serb në mënyrën më besnike reflektonte politikën tradicionale serbe ndaj Kosovës. Por Memorandumi nuk ishte diçka e re, ishte vazhdim i projekteve paraardhëse serbe për shfarosje e dëbim të shqiptarëve nga trojet e veta që nisi me Naçertanien e Garashaninit, të vitit 1844 e që u pasua nga shumë Projekte të tjerë serbe, antishqiptare, e sidomos nga ato të Çubrilloviqit të viteve 1937 dhe 1944.

Demonstratat e vitit 1981, ishin përgatitur nga Lëvizja Kombëtare (e fshehtë) për Çlirim, e cila në dokumentet, programet politike nënvizonin se kishin për qëllim, çlirimin dhe bashkimin e trojeve te pushtuara nga Serbia/Jugosllavia me Shqipërinë. Edhe në ato rrethana të reja shoqërore, politike dhe kombëtare (që s’do të ishin të fundit), Lëvizja Kombëtare për herë të dytë, po e reduktonte qëllimin duke e reduktuar në Republikë, për të marrë me vete edhe klasën e politikanëve zyrtarë (dhe nuk e moren dotë), e cila as pas 15 vjet nuk kishte marrë mundin, kurajën, detyrimin kombëtar të angazhohej në vijën zyrtare për avancimin e statusit politik të Kosovës nga Autonomia në Republikë. Madje Azem Vllasi nuk po e merr mundin as të pendohet edhe sot pas 34 viteve.

Politika zyrtare jugosllave / serbe jo vetëm që nuk kishte arritur ta avanconte statusin e Kosovës, por nuk tregoi vendosmëri e as gatishmëri për të marrë në mbrojtje kërkesën e rinisë studentore dhe të popullit shqiptar për Kosovën Republikë. Ata gjatë tërë kohës do të mjaftoheshin duke thënë se Kosova është pjesë konstituive e RFSJ-së, por nuk e thoshin se padrejtësisht ishte edhe pjesë përbërëse e Serbisë. Ata ishin pajtuar me arsyetimin e politikës serbe e cila deklaronte : ”shqiptarët nuk mund t’i kenë dy shtete nacionale” që Mahmut Bakalli dhe garnituara e tij përfshirë edhe Azem Vllasin të thoshin se kërkesa “Kosova Republikë” është parullë që kërkon trazira, kërkon pabarazi dhe synon shpartallimin e Jugosllavisëse Titos.

Ndërsa në Platformën Jugosllave për Kosovën nënvizonin se, “Kuptimi politik i parullës “Kosova Republikë”, përmban shumë qëllime kundërrevolucionare”, e njëri nga qëllimet ishte “shkatërrimi i Jugosllavisë”, prandaj kjo edhe ishte arsyeja pse nuk mund të bisedohej në mënyrë të zakonshme e demokratike, me kundërshtarët e përbetuar të Jugosllavisë. Kësaj platforme politike anti shqiptare i kishin ndihmuar me entuziazëm e devtshmëri të madhe edhe udhëheqësit nga Kosova, si Ali Shukriu, Sinan Hasani e Azem Vllasi etj. Ky i fundit ishte nder të parët që demonstratat i cilësoj “kundërrevolucionare”, cilësim ky krejt ideologjik – komunist. Prandaj kjo është dëshmi tjetër se në rrugë zyrtare as që mund të pritej avancimi i autonomisë së Kosovës në Republikë, se në fakt ata që duhej të bënin avancimin e statusit të Kosovës, kishte kohë që ishin pajtuar me autonominë administrative, shumë më të ngusht se ajo e vitit 1974. Kështu ata po e zbatonin besnikrisht politikën serbomadhe, antishqiptare të Beogradit zyrtar”.