Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me deputeten e kësaj partie, Ganimete Musliu, kanë konfirmuar se janë njoftuar nga Policia e Kosovës se janë përmendur në të njëjtin rast me deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës për tentim atentat.
Ata kanë thënë se nuk ndihen të frikësuar dhe se iu besojnë organeve të sigurisë dhe drejtësisë, raporton Ekonomia Online.
Nuk kanë treguar nëse iu është ofruar mbrojtja e afërt nga Policia e Kosovës dhe nuk kanë dyshime për askënd përfshirë edhe kundërshtarët politik.
“Unë mund të i’u konfirmoj që jemi kontaktuar prej Policisë së Kosovës, na kanë njoftua që me të njëjtin rast tashmë të bërë publik nga deputetët e LDK-së kanë qenë të përfshirë emri im dhe emri i deputetes Musliu. Jemi njoftuar për masa që ata janë duke i marrë për sa i përket kësaj çështje dhe do të jemi në komunikim të mëtejmë. Nuk ka nevojë me i frikësua jemi në shtetin tonë, jemi në vendin tonë , me institucionet tona të sigurisë e vazhdojmë punës sikur deri më tash”, tha ai.
“Nuk kam informacione asgjë më shumë se kaq. Ata i bëjnë vlerësimet e sigurisë vet, është çështje e Policisë, ne kemi përvoja edhe në të kaluarën me ta, kam besim në organet e rendit, kam besim në organet e sigurisë dhe besoj që janë dujke e bërë punën e tyre në normal. Nuk kam informacione aty, pyeteni Policinë, nuk e dimë ne”.