Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka hedhur akuza të ashpra ndaj Presidentit të vendit, Hashim Thaçi, pas deklaratave të tij se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet.
Duke u shprehur në mënyrë figurative, Krasniqi ka thënë që asnjëherë nuk ka dëgjuar që Shqiponjat nga frika t’a fusin kokën në zallë, por ato ua hapin flatrat e gjokset, furtunave të egërsuara, sepse vetëm ashtu ato tregojnë fisnikërinë e tyre.
Krasniqi vazhdon ashpër se atë që nuk e ka ndëgjuar për shqiponjat e ka ndëgjuar për strucët, shkkruan Lajmi.net.
“Struci është shpendi më trupmadh e torollak. Thuhet se ai në rast rreziku e fut kokën në zall për të shpëtuar?! Vepron ashtu se mendon që, duke mos e parë rrezikun i shpëtohet atij?! Kështu janë një lloj i njerëzve, kurrë nuk kanë guxim të përballen me rreziqet, e sytë t’i nxjerrin në luftë për ofiqet!”shkruan Krasniqi.
Krasniqi këto akuza e thumbime për Presidentin e Kosovës i çartëson në pjesën e fundit të postimit të tij në Facebook ku shkruan se “struci ynë kokën nuk po e fut në rërë, por në shalët e deputetëve, të cilët janë viktima të besimit e të mashtrimit nga struci!”
Ky është postimi i plotë i Krasniqit në Facebook:
“Në jetën time kurrë nuk kam dëgjuar e lexuar se në kohë rreziku Shqiponjat nga frika e fusin kokën në zall. Por, kam lexuar e dëgjuar se në kohë furtunash, Shqiponjat ua hapin flatrat e gjokset, furtunave të egërsuara. Se vetëm ashtu, ATO tregojnë fisnikërinë e tyre. Kështu para 575 vite e kishim një shëmbëlltyrë, e kishim Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, i cili me shqiponjat e tij të kohës, si shqiponjat që në kohë furtunash i hapin flatrat, Skënderbeu e skënderbegasit kapen shpatat, bash atëherë, kur banoret e tjerë të Ballkanit, para hordhive të sulltanëve binin si pulat para gjelave! Po kështu, pas 556 viteve, Adem Jashari me ushtrinë e ti prej shqiponjash, kombit i dhanë liri e pavarësi!
Atë që nuk e kam dëgjuar për Shqiponjat, dëgjuar e kam për Strucët. Struci është shpendi më trupmadh e torollak. Thuhet se ai në rast rreziku e fut kokën në zall për të shpëtuar?! Vepron ashtu se mendon që, duke mos e parë rrezikun i shpëtohet atij?! Kështu janë një lloj i njerëzve, kurrë nuk kanë guxim të përballen me rreziqet, e sytë t’i nxjerrin në luftë për ofiqet!
Strucët tanë nder vite mendonin, se robërisë i shpëtohet, duke i futur kokën nën shalët e të tjerëve?! E në anën tjetër kurrë nuk rreshtin për të kërkuar e fituar lavdinë e krijuar ndër breza. Lavdia vije natyrshëm, si lavdia e Adem Jasharit dhe e Skënderbeut. Lavdia nuk ju shkon atyre që e kërkojnë me qiri e me pishë për ta vesh si këmishë! Se ajo nuk blihet ne pazare të mëdha të botës se korruptuar! Lavdia, është brenda trupit të njeriut, është ne mendjen dhe zemrën e madhe të njeriut.
Lavdinë e gjejnë vetëm ata që flijohen natyrshëm për liri dhe atdhe, si Skënderbeu e Adem Jashari, dy Shqiponjat e një trungu që shekujt ju qëndrojnë në mes! Që vetëm nder e lavdi i lanë trashëgim kombit, dheut e flamurit!
Përvetësuesit e lavdisë se luftëtarëve të Lirisë dhe grabitësit e pasurisë se kombit, vetëm turpi i mbulon mbi dhe! Dhe i zhveshë nga çdo komb e nga çdo fe.
E strucët tanë kukurisin si pulat kur bëjnë një ve!
Zhvillimet e fundit politike po tregojnë, se Struci ynë kokën nuk po e fut në rërë, por në shalët e deputetëve, të cilët janë viktima të besimit e të mashtrimit nga struci!?!”



















