Kraki: Vet-menaxhimi nuk është autonomi për serbët, ndërkombëtarët janë bindur se duhet të respektohet Kushtetuta e Kosovës

E publikuar: 14/03/2023 23:46
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo
Nezir Kraki

Profesori dhe opinionisti Nezir Kraki ka thënë se termi vet-menaxhim, që përmendët duke iu referuar të drejtave të serbëve në Kosovë në propozimin evropian, nuk paraqet autonomi për serbët.

Kraki, duke folur në DPT te Fidani në T7, ka thënë se përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë janë bindur që zgjerimi i të drejtave të serbëve duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Edhe amerikanë edhe evropianët e kanë parë që zgjerimi i të drejtave të serbëve në Kosovë, duhet të jetë në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Kraki.

Ai është shprehur i bindur se vet-menaxhimi nuk është autonomi.

“Termi vet-menaxhim nuk është autonomi. Absolutisht jo. Lidhja është me Kosovën. Nuk shoh rrezik, madje e shoh pozitive që të ikim nga termet si Asociacion i komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar ai.

Po ashtu, Kraki ka deklaruar se Kosova nuk duhet assesi ta pranojë etnizimin e komunitetit serb në Kosovë.

Ai ka thënë se serbët në Kosovë nuk jetojnë të përqendruar në një pjesë të vendit.

“Kosova për asnjë qëllim nuk duhet të pranojë që komuniteti serb të marrë etiketë etnike. Komuniteti serb nuk është homogjen me një pjesë, nuk mund të lidhet zig-zag”, ka thënë ai.

Kohëve të fundit, sipas Krakit edhe përfaqësesit ndërkombëtarë, kur flasin për të drejtat e serbëve në Kosovë, po përdorin shembuj të praktikave evropiane për të drejtat e minoriteteve dhe jo koncepte sui-generis.

“Lajcak dhe Borrell por edhe amerikanët, e kanë rimodelu diskursin diplomatik me terma të tjerë, si të drejtat e pakicave, konventat evropiane etj. Pra bazohen në të drejta sipas praktikave evropiane”, ka deklaruar ai. /GazetaExpress