KQZ sot miraton fletëvotimin, nesër nis votimi jashtë Kosovës

E publikuar: 08/01/2025 08:18
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot ku do ta miratojë edhe fletën e votimit për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kështu ka bërë të ditur për zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili tha se ky komision do të shqyrtojë dhe miratojë dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për këto zgjedhje.

Të hënën, subjektet politike në Kosovë janë pajisur me numra, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e rregullta parlamentare të 9 shkurtit, pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka organizuar hedhjen e shortit për renditjen në fletëvotime. Numrat e subjekteve politike në fletëvotime janë nga 111 deri në 138.

Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1.280 kandidatë.

Në fletëvotim, qytetarët do të mund të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë. Ky është një ndryshim pas miratimit të Ligjit të ri për zgjedhjet. Në të kaluarën, qytetarët kanë pasur mundësinë të zgjedhin deri në pesë kandidatë.

Secila parti e certifikuar mund të ketë deri në 110 kandidatë në listën zgjedhore.

Nga këto lista do të zgjidhet përbërja e re e Kuvendit me 120 ulëse dhe deputetët më pas zgjedhin Qeverinë e re. Qeveria aktuale në Kosovë udhëhiqet nga Albin Kurti, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, kur heshtja zgjedhore fillonte një ditë para votimeve, me ndryshimet ligjore të këtij viti, ajo tashmë do të fillojë një minutë para hapjes së qendrave të votimit – në orën 07:00 – dhe do të zgjasë deri në mbylljen e tyre, në orën 19:00 të 9 shkurtit. Pra, heshtja zgjedhore do të zgjasë vetëm gjatë 12 orëve të votimit.

Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008. Deri më tani, në vend janë mbajtur një sërë zgjedhjesh të parakohshme.