KQZ parashikon mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme

E publikuar: 12/03/2026 12:17
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si rrallëherë, ka parashikuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme apo të jashtëzakonshme për shkak të situatës aktuale politike.

Ky parashikim i KQZ-së është paraqitur në planin e punës së KQZ-së për vitin 2026, që pritet të miratohet në mbledhjen e ditës së enjte, më 12 mars, raporton Demokracia.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme apo të jashtëzakonshme pamundësojnë realizimin e pjesës dërmuese të aktiviteteve të planifikuara, përveç atyre që përbëjnë obligime ligjore që ndërlidhen me raportimn ose që burojnë nga ligjet e tjera në fuqi”, thuhet në këtë dokument të siguaur nga Demokracia.

Në vazhdim të dokumentit, thuhet se ky parashikim siguron që institucioni të mbetet i fokusuar në përgjegjësitë bazë edhe në situate të paplanifikuara.

NË PRITJE TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Duket se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ashtu si institucionet tjera, janë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e Dekretit të Presidentes, Vjosa Osmani, e cila më 6 mars 2026, mori vendim për shpërndarjen e Kuvendit.

Vetëm një ditë më herët, më 5 mars, Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë Presidentin e ri, ashtu siç parashihet në paragrafin 2 të nenit 86, ku thuhet se: “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, përfundon më 4 prill 2026.

Për Dekretin e Osmanit, është ankuar Qeveria e Republikës së Kosovës, që drejtohet nga kryeministri, Albin Kurti. Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri në shqyrtimin e lëndës, më 31 mars 2026.

Osmani dhe Kurti erdhn në pushtet pas bashkimit të tyre në zgjedhejt e 14 shkurtit 2021, por kjo aleancë politike u shpërbë pas refuzimit të Kurtit për të mbështetur Osmanin për mandatin e dytë si president e Kosovës.

Protagonizmi i madh i Osmanit, veçanërisht në ngjarjet ndërkombëtare, penguan Kurtin dhe Vetëvendosjen, duke i dhënë fund edhe publikisht bashkimit të tyre politik plotë entuziazëm në dimrin e vitit 2020/2021.

KQZ PËR ZGJEDHJET E REJA: DO TË VEPROJMË NË PËRPUTHJE ME MANDATIN KUSHTETUES DHE LIGJOR

Për mundësinë e zgjedhjeve të reja janë deklaruar edhe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Më 9 mars, zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi, ka thënë për EkonomiaOnline se nuk komentojnë zhvillimet politike dhe se qëndrimi i KQZ-së mbetet i njëjtë, si në rastet tjera.

Sipas tij, organizimi i një procesi të ri zgjedhor brenda një kohe të shkurtër pas zgjedhjeve të fundit përbën sfidë për KQZ-në dhe stafin e tij, megjithkëtë, ky institucion do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.

“Organizimi edhe i një procesi të ri dhe të parakohshëm zgjedhor për Kuvendin e Kosovës, vetëm brenda një kohe të shkurtër pas përmbylljes së zgjedhjeve, gjithashtu të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, përbën sfidë për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe stafin e tij. Megjithkëtë, KQZ, si institucion i përhershëm që detyrë kryesore ka organizimin e zgjedhjeve, do të veprojë në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor, si dhe do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja, kurdo që kjo do të kërkohet”, ka thënë Elezi.