​KQZ nuk certifikon kandidatët e Listës Serbe

E publikuar: 10/12/2025 16:49
Rreshtat+- AShkronjat+- Printo

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot në mbledhjen e radhës kandidatët për deputetë të subjekteve politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit, por jo edhe të Listës Serbe.

Kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe kanë qenë Sami Kurteshi e Alban Krasniqi nga Lëvizja Vetëvendosje.

Anëtari i KQZ-së nga VV-ja, Sami Kurteshi tha se janë kundër certifikimit të kandidatëve të partisë serbe, e përkrahur nga Beogradi zyrtar, raporton KosovaPress.

Kurteshi shprehet kundër certifikimit të kandidatëve të Listës Serbe nga KQZ-ja

(Video)

“Unë, besoj që edhe kolegu im, jam kundër certifikimit të Listës Serbe bashkë me kandidatët e tyre”, ka thënë anëtari i LVV-së, Sami Kurteshi.

Me gjashtë abstenime, dy vota kundër, dhe tre vota për është refuzuar certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe.

Radoniqi: Refuzohet certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe

(Video)

“Kush është për, tre, kush është kundër, dy, abstenime, gjashtë abstenime. Atëherë refuzohet certifikimi i listës së kandidatëve të Listës Serbe”, ka thënë kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Lista Serbe ka 33 kandidatë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 28 dhjetor./KP