Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka hequr dorë nga ndryshimi i pozicionimit të kabinave të votimit.
Këtë e ka konfirmuar vet KQZ gjatë ditës e njësoj edhe Agjencia për Informim dhe Privatësi.
Nga kjo e fundit, thonë se vendimi ishte i nevojshëm ngase i njëjti, shkelte privatësinë e votuesve
Është një shembull se si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kishte paraparë të pozicionohen kabinat e votimeve në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Një vendim i tillë nxiti reagime e kritika për shkelje të privatësisë së qytetarëve.
E ndër të parat kritikuese, ishte ajo nga Agjencia për Informim dhe Privatësi.
“Nuk kemi pasur kërkesa zyrtare nga KQZ për Këshillim po kemi pasur sinjalizim pa u lëshuar në detaje rreth mundësisë që persona të tjerë mund të kenë qasje persona të tjerë në vote, kemi konsideruar se shkelet e drejta për fshehjen e votës dhe privatësia. Me autorizimet tona, e kemi pare edhe si shkelje e privatësisë së individit”, ka deklaruar Krenare Sogojeva, Komisionere për Informim dhe Privatësi.
Por gjatë ditës, AIP është njoftuar për ndryshimin e këtij vendimi.
“Sot kemi marrë njoftim nga KQZ ku na kanë njoftuar se është nxjerrë një udhëzues dhe një praktikë e tillë është ndryshuar, është kthyer gjendja siç është vepruar në vitet paraprake”, ka theksuar ajo.
Televizioni është interesuar të marrë një përgjigje rreth ndryshimit të këtij vendimi nga ana e KQZ-së por e njëjta përpos se e ka konfirmuar, nuk ka dhënë detaje të reja.
Në doracakun e ri të siguruar nga Dukagjini, kabinat e votimit do pozicionohen në këtë mënyrë.
Dy kabinat do jenë të drejtuara nga klasa dhe jo nga njëra tjetra.